Zenepe Uruçi, shqiptarja e cila u vra një ditë më parë nga bashkëshorti i saj në Itali, ka jetuar me frikë ditët e fundit. Një mike e shqiptares, ka treguar për mediat italiane se viktima i ka treguar se burri është xheloz, e se në shtëpi kanë pasur herë pas here zënka.
“Kohët e fundit ajo ka jetuar në frikë dhe kjo duket. Kur folëm për situatën e saj, ajo shpërtheu në lot nja dy herë. Ajo më tha ‘sa më pak të jem në shtëpi aq më mirë është se atje ka një grindje të vazhdueshme’. Por burri i saj ishte xheloz dhe nuk donte që ajo të shkonte në punë, edhe nëse për të ishte një hapësirë qetësie që e ndihmonte të shkëputej.
Rreth një vit më parë ka qenë një periudhë që e kemi parë me sy të nxirë për disa ditë. Asnjëherë nuk më ka pranuar e as nuk ka rrëfyer asgjë, por edhe atëherë dyshimi se ato shenja nuk kanë qenë të rastësishme ka qenë i fortë. Situata ishte përkeqësuar tash e një vit. Tensioni ishte aty dhe Zenepe ishte shpesh nervoze. Vetëm me punë, fëmijë dhe sidomos nipër e mbesa mundi të gjente pak qetësi. Burri ka probleme nga më të ndryshmet. Një situatë shumë e trishtë dhe fatkeqësisht epilogu ishte më i keqi i mundshëm. Ajo ishte e mirë, e ëmbël, e përzemërt. E gatshme për të ndihmuar të gjithë, por ndoshta ishte ajo që kishte më shumë nevojë se kushdo tjetër”.
Shqiptarja mori plagë të shumta me thikë, në pjesën e sipërme të trupit, në qafë, gjoks dhe shpinë.
Bashkëshorti i saj, Xhafer Uruci, u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia për vrasje dhe u dërgua në burg me akuzën e vrasjes së rëndë me dashje.
Të dy ishin martuar kur ishin të vegjël në Shqipëri, por jetonin prej vitesh në Terni. Viktima, punonte në një treg peshku në zonë.