Gaza/ Fëmijët lëshojnë balonat me fotot e bashkëmoshatarëve të vrarë nga Izraeli

Fëmijët palestinezë lëshojnë në qiell me dhjetëra balona të cilat mbajnë portretet e 66 fëmijëve të vrarë në enklavën palestineze nga sulmet ajrore izraelite gjatë konfliktit të fundit midis shtetit hebre dhe Hamasit. Balonat janë lëshuar në shenjë solidarizimi në një plazh të qytetit të Gazës.

Fëmijët palestinezë përcollën kështu një mesazh për botën,  në mbrojtje të jetëve të pafajshme. Ata i cilësuan dëshmorë fëmijët e vrarë në enklavën palestineze nga sulmet ajrore izraelite gjatë konfliktit të fundit midis shtetit hebre dhe Hamasit. “Kjo ngjarje synon të japë një mesazh në botën arabe dhe perëndimore dhe t’u tregojë atyre numrin e fëmijëve që u vranë me gjakftohtësi gjatë luftës brutale,” tha Najwa Al Farra, organizatore e ngjarjes.

“Ne kemi ardhur këtu për të lartësuar fotografitë e dëshmorëve. Ne ëndërrojmë të fluturojmë në qiell pa asnjë kufizim ose luftë dhe të ndihemi optimistë për këtë jetë”, Warda Al Haour. “Unë jam këtu për t’i dërguar një mesazh të gjithë fëmijëve të botës se unë jam palestinez dhe kam të drejtë të jetoj,” tha një tjetër vajzë palestineze, pjesëmarrëse në këtë ngjarje.

Sipas të dhënave të ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shifra përfundimtare e viktimave të sulmeve izraelite mbi territorin e rrethuar të Rripit të Gazës pas armëpushimit mes Izraelit e Hamas ishte 248, duke përfshirë 66 fëmijë e 39 gra. Të paktën 1,948 njerëz u plagosën, gjatë 11 ditëve të sulmeve ajrore izraelite, pas të cilave hyri në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga Egjipti.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *