Ministri i Sportit në Ukrainë, Vadym Huttsait deklaroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka marrë jetën e 262 atletëve ukrainas dhe ka lënë të shkatërruara 363 objekte sportive. Gjatë një takimi me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, Huttsait tha se asnjë atlet nga Rusia nuk duhet të lejohet në Lojërat Olimpike ose gara të tjera sportive.
“Ata të gjithë e mbështesin këtë luftë dhe marrin pjesë në ngjarjet e organizuara në mbështetje të kësaj lufte” tha Huttsait, sipas dokumentit të publikuar në faqen e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyt. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka rekomanduar kthimin gradual të atletëve rusë dhe bjellorusë në garat ndërkombëtare si neutralë. Ende nuk është marrë vendimi për pjesëmarrjen e tyre në Lojërat Olimpike të radhës, që do të mbahen më 2024 në Paris.
Ukraina tha të premten se atletët e saj nuk do të lejohen të marrin pjesë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike 2024 nëse do të duhet të konkurrojnë kundër atletëve rusë – vendim ky Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e ka kritikuar. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka arritur ta verifikojë në mënyrë të pavarur numrin e atletëve ukrainas të vrarë apo numrin e objekteve të shkatërruara.
Pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, një numër atletësh të nivelit kombëtar ukrainas i janë bashkuar vullnetarisht ushtrisë për ta mbrojtur vendin e tyre. Midis të vrarëve gjatë këtij viti ka qenë patinatori Dmytro Sharpar, i cili vdiq në një betejë pranë Bahmutit, dhe Volodymyr Androshchuk, kampioni 22-vjeçar i dekatlonit.