Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka deklaruar për Zërin e Amerikës se është e gabuar që personat e përcaktuar për korrupsion nga SHBA-të të jenë përfaqësues të popullit shqiptar.
Duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha, ajo tha se “është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë”.
VOA: Dhe një pyetje të fundit, ju në takimet me drejtuesit e forcave politike, keni theksuar rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe më integritet. Megjithatë, kemi vënë re se dhe persona të përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, jo vetëm rasti i zotit Berisha, përfshihen hapur në zgjedhje, ndoshta tanimë jo duke kandiduar personalisht, por duke u angazhuar në fushata elektorale, ose duke mbështetur familjarë apo të afërm të tyre që kandidojnë. A jeni e shqetësuar për këtë?
Ambasadorja Kim: Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi.
Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë.