KPA merr vendimin përfundimtar për gjyqtarin Shkëlqim Mustafa

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Shkëlqim Mustafa.

Mustafa u shkarkua më 13 janar të vitit 2021 nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, pasi u ngritën dyshime për veprime fiktive në shitjen e një apartamenti, me qëllim justifikimin e pasurive të tjera, si dhe u konstatuan fshehje, deklarim i rremë, mosdeklarime dhe mungesë burimesh financiare për krijimin e pronave që zotëron.

Nga ana tjetër, Mustafa u vlerësua pozitivisht për figurën dhe me nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Kujtojmë se Mustafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Gjirokastër, pozicion që e ka mbajtur deri në 98-ën. Po atë vit është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku e ka ushtruar detyrën deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Mustafa u transferua si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Ndërsa nga 2013 e deri në vitin 2021, Mustafa ka punuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 16/2021, datë 08.04.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Shkëlqim Mustafa kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 333, datë 13.01.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

1.Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 333, datë 13.01.2021, që i përket subjektit të rivlerësimit Shkëlqim Mustafa.

2.Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 04.04.2023.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *