Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se nuk është reale që të pritet që Mali i Zi ta tërheqë njohjen e Kosovës.
Milatoviq në një intervistë për “Nova.rs” ka thënë se Mali i Zi e mbështet çdo gjë që dakordohet në dialogun mes Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Nuk është reale të pritet çnjohja e Kosovës dhe kjo është një çështje shumë e qartë”, tha Milatoviq. “Ne mbështesim çdo gjë që bien dakord Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë, i cili do të promovonte marrëdhënie të mira fqinjësore”.
Milatoviq ka thënë se Mali i Zi vërtetë po shkon nga BE-ja dhe Brukseli dhe se vizita e tij e parë zyrtare do të jetë në Bruksel.
Ai ka thënë se po ashtu dëshiron të ketë marrëdhëniet sa më të mira të mundshme me Serbinë dhe se vizita e tij në Serbi do të jetë pas ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.