Këtë të mërkurë po mbahen diskutimet për prezantimin e platformës elektronike që do të shërbejë për forcimin e monitorimit të financimit për partitë politike në vend. Të pranishme gjatë këtij prezantimi, është edhe ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann.
Gjatë zhvillimit të diskutimeve, mbajti fjalën edhe kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i cili tha se platforma elektronike do të mundësojë një mbikëqyrje efikase pavarësisht se nuk e zgjidh problemin e financimit të partive politike në vend.
“Projekti i digjitalizimit mbetet nje nga projektet më të rëndësishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në thelb synohet mbështetja e KQZ për raportimin dhe monitorimin e financimit të partive. Platforma nuk është mekanizmi që zgjidh problemin me financimin e partive, por ndihmon administrimin dhe mbikëqyrje efikase.
Platforma në tërësinë e vetë ka qëllim të përmirësojë aksesin në informacione, të përmirësojë shërbimin dhe cilësinë e të dhënave, të reduktojë kohën e punës si për raportuesit ashtu edhe për verifikuesit. Të mbështesë përpunimin e të dhënave lehtësisht, të cilët mund të kenë akses në sistem. Të rrisë sigurinë e informacionit, do të mbrohen nga një akses i autorizuar me masa të caktuara sigurie”- u shpreh Celibashi.
Ai theksoi se në listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, rezultonin emra që ishin në tre lista të partive politike të ndryshme. Mes të tjerash, Celibashi tha se kishte edhe kandidatë të cilët as nuk e dinin se kishin kandiduar.
“Kemi patur kandidatë për këshilla që ishin në tre lista të partive të ndryshme. Ka dhe të tjerë që as e dinin se kishin kandiduar. Listat janë formale kur vjen puna te emrat në fund të saj”- u shpreh Celibashi.