Ekonomia shqiptare nuk ka ecur mirë përgjatë dekadës së fundit dhe ritmet e rritjes kanë qenë të ngadalta. Për sa kohë kjo nuk ndryshon, nuk ka alternativë tjetër se nga mund të gjenden paratë, jo vetëm për rritje pensionesh, por as për të paguar pensionistët që pritet të shtohen tani së shpejti.
Në vitin 2014, një pensionist urban në Shqipëri merrte mesatarisht 14,518 lekë në muaj. Në vitin 2021, ose shtatë vjet më vonë, pensioni mesatar ishte 17,258 lekë, me një rritje mesatare vjetore prej 2.5%.
Gjatë këtyre viteve, Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me mesatarisht 1.7%, gjë që sugjeron një rritje të papërfillshme reale të pensioneve me 0.8%. Por Indeksi shpreh ecurinë e të gjitha mallrave dhe shërbimeve në ekonomi, ndërsa pensionistët, për shkak se, me shumë gjasa, kanë një konsum të përqendruar të ushqimet bazë, janë sot më keq nga sa kanë qenë shtatë vjet më parë. Grupi i ushqimeve në Indeksin e Çmimeve të Konsumit u rrit nga viti 2014 deri në vitin 2021 me mesatarisht 3.7%. Akumuluar për shtatë vjet, pensionet janë rritur në terma nominalë me afro 19%, ndërsa grupi i ushqimeve është rritur me 29%. Diferenca është një rënie neto e konsumit të pensionistëve dhe përkeqësim akoma më i madh i gjendjes së tyre sakaq të vështirë ekonomike.
Mosrritja e pensioneve dhe varfërimi i mëtejshëm i pensionistëve në fakt është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është numri i pensionistëve dhe kostoja totale e pensioneve në ekonominë kombëtare.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i pensionistëve urbanë ishte 436 mijë vetë në vitin 2014 dhe u rritën në 566 mijë më 2021. Një rritje prej 30%, ose 130 mijë vetë, në numrin e pensionistëve solli një rritje në një masë të ngjashme në fondin e përgjithshëm të nevojshëm për pagesën e këtyre pensioneve, pavarësisht se pensionet janë rritur shumë pak.
Në të njëjtën kohë, numri i pensionistëve ruralë, të cilët marrin pension për vitet e punës në kooperativa, është ulur me afro 40 mijë. Pesha e tyre në terma të parave është më e vogël sepse pensionet e fshatit kanë qenë gjithmonë më të ulëta. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se shpenzimet për pensione të buxhetit të shtetit u rritën me 44% gjatë kësaj periudhe, duke arritur në 148 miliardë lekë. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, pensionet më 2021 zënë 7.8% të PBB-së nga 7.4% që ishin më 2014.
Lajmi i vetëm pozitiv duket se është se gjatë kësaj periudhe, numri i të punësuarve me kontribute është rritur më shpejt se sa numri i pensionistëve. Sektori privat ka shtuar rreth 200 mijë vende pune, ndërsa sektori publik ka shtuar gati 19 mijë, megjithëse këto të fundit duket se kanë efekt negativ. Në të njëjtën kohë, taksa efektive mbi pagën dhe paga mesatare për të cilën paguhet realisht sigurimi shoqëror është rritur gjithashtu. Kjo ka sjellë një rënie jo shumë të fortë të barrës së deficitit të pensioneve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Problemi është që parashikimet për të ardhmen nuk janë aspak optimiste. Shkaku për këtë lidhet ngushtësisht me emigrimin masiv të të rinjve gjatë viteve të fundit. Të dhënat e fundit [link], tregojnë se popullsia 50-64 vjeç, e cila pritet të dalë në pension gradualisht përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme, është 570 mijë vetë. Ndërsa popullsia 5-19 vjeç, e cila pritet të dalë në tregun e punës përgjatë pesëmbëdhjetë viteve të ardhshme, është 500 mijë vetë.
Nëse supozojmë se mes të rinjve do të ketë punësim 100%, (gjë që është shumë e pagjasë) dhe që ata të gjithë nuk do të ndjekin shembullin e brezave paraardhës për të emigruar, (gjë që vështirë se mund të shpresohet), atëherë sërish numri i atyre që dalin në pension do të jetë më i lartë se sa numri i atyre që hyjnë në tregun e punës.
Në mënyrë tipike, një shqiptar i punësuar paguan mesatarisht 12 mijë lekë kontribute për pension në muaj, ndërsa një pensionist merr 17 mijë lekë pension. Në total, të 700 mijë të punësuarit paguan gjatë vitit 2021 sëbashku 95 miliardë lekë sigurime shoqërore ndërsa të 673 mijë pensionistët morën së bashku 148 miliardë lekë pensione.
Në mënyrë që pensionet të rriten, atëherë është e nevojshme ose që pagat të rriten me shpejtësi të pazakontë, gjë që nuk ndodh dot për sa kohë ekonomia nuk rritet me shpejtësi të pazakontë, ose numri i të punësuarve të rritet shumë më shpejt se sa numri i pensionistëve. Për fat të keq, demografia sugjeron se kjo e dyta ka edhe më pak gjasa të ndodhë për shkak se numri i fëmijëve është më i vogël.
Me pak fjalë, nëse pensionet duhet të paguhen në këtë nivel që janë pa gërryer më shumë nga taksimi i përgjithshëm, apo të rriten sadopak, do të jetë e nevojshme ndërtimi i një ekonomie të re që ofron vlerë të shtuar të lartë dhe paga më të larta, nga ku të mund të mbahen sigurimet shoqërore të nevojshme për të paguar pensionet.
Problemi dukshëm qëndron te fakti që nga viti 2009 e më pas, ekonomia shqiptare nuk është rritur siç duhet. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare është rritur me mesatarisht 2.4% mes viteve 2010 dhe 2021, kohë gjatë së cilës vendi u qeveris fillimisht nga koalicioni PD+LSI dhe më pas nga koalicioni PS+LSI dhe së fundmi, nga vetë PS. Ky ritëm rritjeje, jo vetëm që është më i ulët se sa potenciali, i cili vlerësohet në 4 apo 4.5% në vit, por është edhe më i ulët se sa rritja e shumë vendeve të ngjashme. P.sh., ekonomia e Kosovës është rritur me mesatarisht 4%, ajo e Turqisë me 5.5% ndërsa Rumania e Polonia janë rritur me 3.3%. Për sa kohë ekonomia nuk rritet, dhe shkaqet e mosrritjes vështirë se gjenden gjëkundi tjetër përveç cilësisë së qeverisjes, vendi nuk do të ketë mundësi të rrisë as paga dhe as pensione/ Birn