Ish-kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Divjakën, Aurel Malko. Berisha bëri një skanim të kandidatëve të mazhorancës, që siç u shpreh ai vijnë nga “bodrumet e mafies”. Ai vlerësoi kandidatët e “Primareve”, duke thënë se ata do të jenë shërbëtorë të qytetarëve.
“Kandidatët e krahut tjetër në tërësi janë vëllezër në vese me kreun e tyre. Janë të sprovuar në aktet e vjedhjes dhe shpërdorimit. Por ata kanë një tipar të përbashkët. Ata për qytetarët nuk duan t’ja dinë.
Ju garantoj se Aureli dhe të gjithë kandidatët e primareve janë dhe do jenë shërbëtore tuaj, janë dhe do jenë menaxherë dhe drejtues me transparencën më të madhe. Ata në standardet më transparente do përdorin çdo qindarkë të burimeve për të mbështetur fermat tuaja dhe biznesin tuaj” – u shpreh Sali Berisha.
Ish-kryeministri ngriti sërish shqetësimin e shpopullimit të vendit, duke thënë se as në kohë lufte nuk kanë ikur kaq shumë njerëz. “Në 8 vite ne sot jemi të pakësuar, më të pakësuar se kurrë. Kudo, 1/3 e njerëzve tanë na mungojnë. 84% e shqiptareve duan të largohen nga Shqipëria. Një dëshpërim ka pllakosur vendin. Shqipëria nuk ndodhet në një pushtim të huaj. Megjithatë pikëllimi i shqiptarëve, mosbesimi i tyre bën që të largohen. Në 8 vite janë larguar vetëm në BE 937 mijë shqiptarë. Asnjë luftë nuk ka pakësuar me 33-35 % një komb, sado e egër të ketë qenë ajo”