Osmani foli pak fjalë rreth gjykimit në Hagë në një medium austriak: Si u përgjigj kur u pyet për Thaçin? Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më në fund ka folur rreth fillimit të procesit gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë që duket të jetë bërë pak ditë para fillimit të këtij procesi. Çka tha ajo?
Kryetarja e shtetit në mediumin “Die Presse” u pyet edhe rreth kësaj çështje, për të cilën Osmani deri më tani nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike.
“Të hënën në Hagë fillon procesi gjyqësor ndaj paraardhësit tuaj Hashim Thaçi. Ai akuzohet për krime lufte atje së bashku me ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?” – ishte pyetja që iu shtrua asaj.
Osmani ndërkaq, duket se nuk ka folur gjatë. Ajo ka thënë se është e bindur që “drejtësia do të triumfojë”.
“Jam i sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi marrim konfirmimin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) bëri luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodanit.” – ka thënë ajo.
Çka po ndodhë në Hagë?
Gjatë ditës së djeshme, radha i erdhi mbrojtjes së krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta thënë fjalën e saj. Avokatët e Thaçit, Veselit e të Krasniqit dhanë dje para gjykatës deklaratat e tyre hapëse dhe ofruan një sasi provash.
Avokati i Thaçit prezantoi disa video-inçizime, deklarata nëpër libra e dokumente, që tregojnë sipas tij, se ish-presidenti i Kosovës frikësohej ta nënshkruante marrëveshjen.
Kjo për shkak se nuk kishte fuqi aq të madhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosoës që një vendim të tillë të merrte pa u konsultuar me komandantët e zonave. Me këtë, mbrojtja tentoi të prezantojë para trupit gjykues faktin se fuqia e Thaçit nuk ishte aq e madhe në Shtabin e Përgjithshëm sa pretendon Prokuroria./Nacionale