Kryetari i Aleancës për ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj ka takuar sot përfaqësuesit e Këshillit Atlantik, udhëhequr nga Jörn Fleck, drejtor i lartë për Evropë Qendrore. Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj tregoi se ka shprehur orientimin e natyrshëm euro-atlantik të Kosovës, dhe synimin që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Pata kënaqësinë të takoj, z. Jörn Fleck, drejtorin e lartë për Evropë Qendrore të Atlantic Council me seli ne Washington. Shpreha vlerësimin tim për punën qe Atlantic Council e bën në funksion të agjendës integruese euro-atlantike.
Theksova edhe njëherë orientimin tonë të natyrshëm euro-atlantik dhe synimin që të jemi pjesë e barabartë e aleancës së shteteve të NATO-s, udhëhequr nga ShBA-të.
Alternativa jonë strategjike është anëtarësimi në NATO, si kontribut për sigurinë nacionale, paqen në rajon dhe përballimin e kërcënimeve dhe sfidave.