Në përfundim të mbledhjes, sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bëri me dije se takimet në kuadër të fushatës elektorale do të nisin javën tjetër ashtu siç e përcakton kodi zgjedhor. Ndërsa theksoi se PS nuk kishte qëllim organizimin e aktiviteteve masive, por takimeve të vogla me qytetarë ku do flitet për punën e bërë.
“Është një mbledhje organizative pune, PS hyn e sigurtë me një program të qartë , në funksion të rezultatit shumë të mirë që do të marrim. Ne nuk duam të bërtasim, kemi menduar një strategji që shumë shpejt do të bëhet publike, do të synojmë aktivitete më të qeta dhe më të vogla.”
Lidhur me skandalin ku Kryemadhi është financuar nga kompani ruse, Gjiknuri tha se PS ka bërë punën e saj dhe se tani i takon drejtësisë të zgjidhë çështjen me interes kombëtar.
“Rublat ruse ata janë vetë të zhytur, strategjia jonë është për ndërtimin e të ardhmes,pala tjetër ju e dini që ka një strategji tjetër që nuk përkon me atë të shqiptarëve. Nuk është çështja jonë, ju takon organeve të drejtësisë që të zbulojnë të vërtetën, PS e ka bërë thirrjen që kjo është një çështje kombëtare, që duhet të marrë zgjidhje nga drejtësia. Përveç faktit që PS nuk do të shpenzojë në këtë fushatë, ne duam të japim mesazhe për qytetarët, ne e shikojmë Shqipërinë si një vend që po bën progres, stabël që po rritet në të gjitha dimensionet. Ne mbjellim një pemë ata le të çirren.”