Tensione në veri të Kosovës/ Zbardhen detaje nga arrestimi i serbit që sulmoi policin

Janë zbardhur detje nga ngjarja e rëndë, ku një qytetar serb në Jarinje u shoqërua në polici sepse sulmoi një efektiv në veri të vendit, pasi iu kërkua dokumentacioni për të hyrë në Kosovë. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 16:30.

Në pamje duket se efektivi ka marrë shenja në fytyrë nga qytetari serb, i cili nuk kishte dokumentacion për të hyrë në Kosovë dhe pasi shau zyrtarët policor, guxoi edhe të godiste njërin prej tyre.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, për Nacionalen ka thënë se ngjarja ndodhi pasi qytetari serb Nikola Todoroviq nuk pranoi nënshkrimin e dokumentit për hyrje në Kosovë.

“Pas refuzimit për të hy në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyej zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar. Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.” – tha ai.

Në fund, Kelani ka bërë të ditur se: “Polici i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor. Për rastin është njoftuar prokurori, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti dërgohet në mbajtje deri në 48 orë”.

Ndërkohë, e ashtuquajtura Zyrë serbe për Kosovën në reagimin e saj pretendon se personi në fjalë është keqtrajtuar nga Policia e Kosovës.

“Anëtarë të Policisë së Kosovës e kanë ndalur atë për shkak të mungesës së dokumenteve për fëmijët, i kanë larguar fëmijët nga vetura dhe e kanë keqtrajtuar në prani të tyre, dhe kur i ka kundërshtuar, është dërguar në mbajtje.” – thuhej në komunikatë.

Mediat serbe ndërkaq, kanë raportuar se po merret në pyetje Nikola Todoroviq, për të cilin thuhet se është doktor në Mitrovicën e Veriut

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *