Frika nga lufta në Ukrainë/ Letonia rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Pas sulmit rus ndaj Ukrainës shërbimi i detyrueshëm ushtarak është përsëri në modë. Letonia dhe disa vende të tjera duan të rifusin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Së shpejti shërbimi ushtarak në Letoni do të jetë përsëri i detyrueshëm për të gjithë meshkujt nga mosha 18-27 vjeç. Gratë mund të kryejnë shërbim ushtarak vullnetar. Parlamenti letonez mori këtë vendim më 5 prill. Arsyeja e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak është sulmi rus ndaj Ukrainës.

Letonia e kishte hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2007. “Ukraina është një shembull i qartë i rëndësisë që ka një popullate civile me moral të fortë dhe të përgatitur mirë për të zmbrapsur çdo agresor,” tha së fundmi ministrja letoneze e Mbrojtjes, Ināra Mūrniece.

45 përqind e letonezëve në favor të rekrutimit të detyruar

Duke nisur nga viti 2024 numri i rekrutëve letonezë do të rritet vazhdimisht. Nga viti 2028 planifikohen që çdo vit të thirren ushtarë 7,500. Kjo pritet të ndihmojë në rritjen e ushtrisë nga mbi 22,000 në 50,000 vetë, përfshirë edhe trupat e mbrojtjes territoriale dhe ato rezervë.

Sipas një studimi të majit 2022 rreth 45 përqind e letonezëve ishin në favor të rekrutimit të detyruar, ndërsa 42 përqind ishin kundër tij, thotë Maris Andzans, profesor në Universitetin Stradins në Riga. Sipas tij mbështetja për shërbimin e detyrueshëm ushtarak ishte më e ulët tek të anketuarit e moshave më të reja, në grupmoshën 18-24 vjeç kjo mbështetje ishte vetëm 34 për qind.

Shërbimi i detyrueshëm ushtarak përsëri në modë

Me rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak Rigandjek vendet e tjera baltike, anëtare të NATO-s, që ndihen të kërcënuar nga Rusia. Lituania e rifuti shërbimin e detyrueshëm ushtarak disa vite më parë, kurse Estonia nuk e kishte shfuqizuar kurrë atë.

Edhe në vende të tjera si p.sh. në Poloni dhe Gjermani, po diskutohet gjithashtu rifutja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Polonia e pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2010, kurse Gjermania në vitin 2011.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, është një nga përkrahësit e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Sipas një sondazhi të Institutit gjerman për Demoskopi Ipsos të marsit të këtij viti, 61 për qind e të anketuarve u shprehën pro dhe 29 për qind kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ndërkohë që sipas një sondazhi të muajit shkurti 2023, pro ishin 58 për qind./DW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *