Të ardhurat nga fasoneria shënuan rekord të ri në vitin 2022

Të ardhurat nga ekonomisë shqiptare nga aktivitetet e fasonerisë arritën një rekord të ri vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhura neto nga shërbimet e punës me porosi për subjektet e huaja vitin e kaluar arritën në 625 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Krahasuar me vitin 2021, të ardhurat nga ky sektor i ekonomisë janë rritur me pothuajse 25%. Në terma neto, fasoneria është kontribuuesi i tretë më i rëndësishëm në bilancin e llogarisë korrente të vendit, pas turizmit dhe remitancave.

Këto burime kanë një rëndësi të madhe për pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, sepse mundësojnë ngushtimin e deficitit të madh në tregtinë e mallrave. Rritja e çmimeve gjatë vitit të kaluar vlerësohet se ka pasur një ndikim të konsiderueshëm edhe në rritjen e eksportit të shërbimeve të fasonerisë.

Fasoneria në Shqipëri ka qenë historikisht e përqendruar në sektorin e veshjeve dhe këpucëve, ku prej dekadash prodhuesit e mëdhenj të vendeve të zhvilluara e kanë zhvendosur prodhimin në ekonomi më të varfra, ku kosto e krahut të punës është më e lirë.

Por, në dekadën e fundit prodhimi me porosi është shtrirë edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore apo pjesëve të këmbimit për automjetet dhe produkte të tjera industriale.

Në veçanti, për aktivitet e industrisë automotive, që kishin një përqendrim të rëndësishëm në Ukrainë dhe Rusi, konflikti në lindje ka shtuar perspektivat e rritjes për vendet si Shqipëria.

Krahu i lirë i punës ka qenë baza kryesore e mbështetjes së eksporteve shqiptare pas rënies së komunizmit, por ky avantazh konkurrues në vitet e fundit po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha.

Kërkesa në rritje për forcë pune nga vendet e Europës Perëndimore ka nxitur një valë të re emigracioni nga vendet e Europës Lindore, përfshirë Shqipërinë.

Largimi i njerëzve po e bën gjithnjë e më të vështirë sigurimin e forcës së nevojshme të punës dhe po i detyron bizneset të rrisin pagat.

Nëse deri para dy dekadash mendohej se rritja e pagave do të vinte si rezultat i zhvillimit ekonomik dhe ngushtimit të hendekut me Bashkimin Europian, në fakt rritja e viteve të fundit është më shumë rezultat i tërthortë i tendencave demografike dhe konkurrencës për forcë pune nga ekonomitë më të zhvilluara të BE-së.

Në kushte të tilla, rritja e pagave mund të bëhet një rrezik për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht të degëve të fasonerisë, që karakterizohen nga një produktivitet i ulët i punës.

Ekspertët mendojnë se ndërmarrjet shqiptare për dekada me radhë janë mbështetur shumë te krahu i lirë i punës dhe nuk kanë investuar shumë në teknologji dhe procese që do të ndihmonin në rritjen e produktivitetit. Edhe për këtë arsye, mungesa e forcës së punës dhe rritja e pagave po bëhen një problem gjithnjë e më shqetësues për këtë sektor. MONITOR


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *