Dalin pamjet e aksionit të RENEA-s/ Arrestohet fieraku i rrezikshëm, hodhi çantën me armë nga dritarja

Indrit Hoxhaj (Kuçi), 27-vjeç, ka rënë në prangat e RENEA-s pas aksioneve të organizuar në qytetin e Fierit. I arrestuari, është person me precedentë penal në fushën e krimeve kundër jetës, drogës e armëmbajtjes pa leje. Efektivët gjatë kontrolleve kanë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Indrit Hoxhaj akuzohet për  “Armëmbajtje pa leje”, ndërkohë që ai është edhe i dyshuar si anëtar i grupit kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. I riu është kapur në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një kafeneje, ku gjatë kontrollit të zhvilluar nga Renea, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë.

Kontrollet nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturat e DVP po zhvillohen  në shumë qytete për kapjen e personave të rrezikshëm.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre të shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në DPPSH dhe DVP Fier, ushtruan kontrolle të befasishme në disa lokale dhe ambiente të ndryshme në Fier dhe Lushnjë.

Si rezultat, në lagjen “Fermë-Çlirim”, në ambientet e një lokali, gjatë kontrollit të zhvilluar nga Renea, shtetasi I. H.(K)., 27 vjeç, sapo ka parë forcat e Policisë ka hedhur nga dritarja e lokalit çantën e dorës brenda së cilës mbante një armë zjarri pistoletë. Gjatë këqyrjes së çantës, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj armën e zjarrit pistoletë me dy karikatorë me fishekë luftarakë dhe kartën e identitetit të 27-vjeçarit.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 27-vjeçarit I. H. (K)., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *