“Nuk e meritojmë varfërinë” Berisha nga Fieri: Tokat pjellore Rama do t’i mbushë me drogë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Partia Demokratike do të ketë në fokus zhvillimin e fshatrave. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatit për Bashkinë e Fierit, Berisha tha se në zbatim të programit të PD, do të ketë një interes madhor për fermerët në të 4 anët e këtij qarku.

Ai u bëri thirrje fermerëve të Myzeqesë, të kujtojnë sa pak herë ka folur kryeministri Edi Rama për qumështin, lopën, vreshtin, plantacionet e ullishtet dhe se sa shumë herë ka përmendur kanabisin e drogën. Sipas Berishës, Rama beson se Shqipëria duhet të mbushet në drogë, në një kohë që Shqipëria është tokë e bekuar.

Pjesë nga fjala e Berishës: Edi Rama në 8 vite ka shpenzuar duke vjedhur dhe shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme, 2.3 miliardë euro vetëm rrasa guri në qendrat e qyteteve, që po të kishin qenë gurë gjysëm të çmuar nuk do të kushtonin kaq shumë. Dhe që janë bërë në mënyrë absolute, në motivin kryesor për të vjedhur, se shpenzimi për to, të paktën 70% e shpenzimeve janë vjedhur dhe shpërdoruar nga Edi Rama dhe grupi i tij. Ndërkohë Shqipëria rurale nuk ekziston për këtë qeveri. Ju bëj thirrje fermerëve të Myzeqesë, të kujtojnë pak sa herë e kanë dëgjuar atë të flasë për qumështin, lopën, vreshtin, plantacionet, ullishtën. Sa herë e kanë dëgjuar të flasë për kanabisin, drogën, me qindra herë. Ky është kryeministri që beson se Shqipëria duhet të mbushet në drogë, në një kohë që Shqipëria është tokë e bekuar, është një kopsht i vërtetë i Europës Juglindore thoshte Konica.

Si ka mundësi të ikin nga Fieri, i cili si rreth ka fushën më të madhe të naftës në Europë, ka tokat më pjellore në Shqipëri e Europë, ka ujërat më të shumta, ka brigjet më të bukura, ka njerëzit më punëtor, më të mençur, më të zotë. Po atëherë çfarë ndodh, pse ikin, pse e braktisin këtë vend. Ka vetëm një arsye, varfëria e frikshme në rritje e këtyre 8 viteve. Nga 2007-2014, popullata në Fier dhe Shqipëri rritej nga viti në vit. Po është statistikë e dy viteve më parë kjo që them. Po tani. Rënie katastrofale, sepse në vitin 2013 ne ishim qytetarët me rroga më të  larta në Ballkan. Ne paguheshim më shumë se bullgarët, se rumun, se serbët, malazezët. Po pse paguheshim më shumë ne. Sepse nuk ka vend të pasur se Shqipëria, ua them unë ju, kjo tokë është e pasur se çdo vend në Ballkan dhe qytetarët meritonin plotësisht. Po, po me atë buxhet me ato të ardhura jeni dëshmitarë, u ndërtuan 11 mijë km rrugë, u ndërtuan 1300 shkolla, u ndërtuan qindra sisteme kanalizimesh, qendra shëndetësore e spitale, u ndërtuan mbi 14 impiante të ujërave të zeza, dhe prap se prap, paratë arritën për të dyfishuar rroga e pensione. Ai ishte një qëllim madhor. Ne ishim rropatur në dhjetëvjeçarë dhe shekuj në varfëri, duke jetuar në një tokë të bekuar, në një tokë me pasuri të mëdha, ne nuk meritonim kurrë varfërinë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *