24 vite nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës

Ditën e sotme shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

187 refugjatët e parë nga Kosova ishin shumica fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym.

Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *