Erion Braçe pyet Berishën live në ‘Facebook’, ja përgjigjja e tij

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një komunikim live në rrjetin social ‘Facebook’ me ndjekësit.

Një nga pyetjet e bëra mbante emrin e deputetit të Partisë Socialiste Erion Braçe. Nuk dihet nëse ka qenë ai apo një adresë e një qytetari që ka përdorur emrin e deputetit, por Berisha zgjodhi t’i përgjigjej.

Berisha, në përgjigjen e tij pohoi faktin se disa bashki janë të falimentuara, por sipas tij qeveria e ardhshme (ajo demokrate) do të shpenzojë më pak, në mënyrë që të investojë më shumë.

Pyetje: Dok. Sali Berisha çfarë ju bën kaq të sigurt në fitore? Kur dihet që bashkitë i kanë arkat bosh dhe janë dhe me kredi

Berisha: “E vërteta është se një seri bashkish janë tërësisht të falimentuara. Por, nuk mundet kurrë një njeri të qëndrojë duarkryq përpara të keqes. Kur sheh të keqen me sy, detyra më kryesore është ta ndalosh atë. Aty ku ndalon të keqen, lind shpresa, lind mundësia. Ka qenë viti 1992, gjithsej arka e shtetit kishte 4 milionë dollarë. 80% e qytetarëve ishin të papunë. Por reforma dhe guximi për t’i ndërmarrë ato, bënë të mundur që çdo vit, të ardhurat të dyfishohen.

Unë mund t’u them ju zoti Erion, se qeveria e ardhshme nuk do ndërtojë kurrë rrugë me 24 milionë euro, por me 2, 3 milionë euro kilometri. Qeveria e ardhshme nuk do ndërtojë shkolla me 6 milionë euro, por me 700 mijë euro. Kryeministri i ardhshëm nuk do shpenzojë 22 milionë euro me fluturime me avion me dhomë gjumi, të blejë vazo 4 milionë euro. Nuk do lejojë kurrë që ministrat të ulen në dreka dhe darka me 10 mijë euro, apo që të udhëtojë 15 rrugë me helikopter për Peshkopi. Mundësitë janë të mëdha nëse vendosim ligjin dhe qytetarin në epiqendër të qeverisjes.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *