Gjatë vitit të kaluar u shtuan hetimet për korrupsion. Në analizën e prokurorisë së përgjithshme, rezulton se 36% e të pandehurve janë pjesë e administratës shtetërore.
Prokuroria e Përgjithshme në raportin e dorëzuar në Kuvend, thotë se gjatë vitit që lamë pas, hetimet për korrupsion u rritën me 2.6 herë. Nga 100 procedime penale të regjistruara në vitin 2021, në vitin 2022 u hetuan 261 dosje për veprat penale të korrupsionit. Raporti i institucionit të drejtuar nga Olsian Çela thekson se është rritur me 3 herë edhe numri i procedimeve që janë dërguar në gjykatë.
36% e të pandehurve rezultojnë pjesë e administratës shtetërore, ndërsa pjesa tjetër në sektorin privat dhe të papunë. Volumin më të madh të dosjeve për korrupsion në vitin 2021 e ka pasur Prokuroria e Tiranës, pasuar nga ajo e Durrësit dhe Shkodrës ndërsa në Gjirokastër, Dibër, Krujë, Kukës, Tropojë dhe Lezhë nuk është regjistruar asnjë hetim për korrupsion.
Në analizën e prokurorisë në 80% të rasteve rezulton se është kërkuar masa e arrestit me burg ndërsa vetëm 2% e të pandehurve rezultojnë femra./ Euronews Albania