Ankandi i parë në Bursën Shqiptare të Energjisë do të hidhet sot duke i hapur rrugë kështu zyrtarisht operimit të kësaj burse. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend, Yuri Kim, e cila në fjalën e saj tha se Shqipëria duhet të përmirësojë klimën e biznesit.
“SHBA po e ndihmon sektorin energjetik shqiptar për të rritur transparencën dhe konkurrencën. Do të ketë më shumë furnizim dhe çmime më të lira. Lidhja e tregut Shqipëri-Kosovë do ta bëjë më të fortë atë” – u shpreh Kim.
Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike, sipas modelit të tregtimit të energjisë elektrike, nuk kryen në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimtari të shitblerjes së energjisë elektrike, por ofron shërbimin e administrimit e të garantimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet platformës së tregtimit, klerimit dhe shlyerjes, si kundërpalë qendrore.
Në vendim përcaktohet se Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike lëshon një faturë tatimore për anëtarin e saj që nga transaksionet e përmbyllura gëzon pozicionin e blerësit të energjisë elektrike, e cila do të jetë me TVSH të përjashtuar.
Sipas vendimit, në rastin kur blerësi i energjisë elektrike e përdor atë për nevojat e veta, duke mos pasur si qëllim që ta rishesë, ai përgatit një faturë tatimore, në të cilën është edhe në pozicionin e shitësit edhe në pozicionin e blerësit. Ky furnizim do t’i nënshtrohet normës standarde 20% të TVSH-së.
Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm brenda vendit, faturimi do t’i nënshtrohet normës standarde 20 % të TVSH-së.
Në rastin kur blerësi i energjisë elektrike ia furnizon energjinë elektrike një personi të tatueshëm jashtë Republikës së Shqipërisë, faturimi do të trajtohet me shkallë 0 % të TVSH-së.