Plagosja e një serbi/ Ambasadori amerikan: Jemi të shqetësuar për incidentin në Zveçan

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara për incidentin në veri të Kosovës më 10 prill, në të cilin dyshohet të jetë plagosur një pjesëtar i komunitetit serb.

Policia e Kosovës ka thënë më 11 prill se i ka suspenduar katër zyrtarë policorë, që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast, përfshirë njërin që mund të ketë shtënë me armë zjarr. Në orët e para të së martës, Policia e ka mohuar përfshirjen në këtë rast.Kjo gjë e ka shqetësuar Ambasadën amerikane në Prishtinë, e cika ka bërë thirrje që të kryhen hetime kredibile.

“Të gjithë shtetasit duhet të kenë besim në transparencën e zyrtarëve për zbatim të ligjit dhe në sektorin e drejtësisë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ndaj institucioneve për sundim të ligjit, avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multi-etnik”, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Sipas tij, “të gjithë personat përgjegjës për këto veprime kriminale, duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Disa media në gjuhën serbe e kanë cituar një burrë të ketë thënë se vetëm pjesëtarë të forcave speciale të Policisë së Kosovës kanë qenë prezente në kohën kur personi në fjalë është plagosur te Ura e Bistricës afër Zveçanit.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka dënuar më herët gjatë ditës, atë që e ka konsideruar sulm të kryer nga Policia e Kosovës.

Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon është shpesh vatër e tensioneve.

Javën e kaluar, një pjesëtari të komunitetit serb i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, i cili dyshohet se u ka vënë flakën veturave me targa RKS – Republika e Kosovës – në Zubin Potok, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se incidentet në veri të Kosovës janë të orkestruara nga “struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi”, të cilat kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe. REL

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *