Raundi i dytë i takimit mes dy liderëve, presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka përfunduar. Pas 65 minutave bisedime, dy liderët janë ngritur nga tavolina ku u ulën ditën e sotme në vilën në Gjenevë me pamje nga liqeni.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar për mediat ndërkombëtare se takimi është mbyllur shumë më herët se ç’ishte planifikuar, për arsye që ende nuk dihen.
Në total, takimi ka zgjatur rreth tre orë e gjysmë, nga pesë që ishte planifikuar të zgjaste.
I pari që u largua nga vila në Gjenevë ku po zhvillohet takimi ishte Biden.
Tashmë pritet që pas 4 orësh takim, dy Presidentët të japin konferenca të ndara për shtyp teksa ky ishte takimi i parë mes tyre si homologë.
Takimi Putin-Biden erdhi pas akuzave të forta që bëri Presidenti i SHBA muajt e kaluar pasi u informua nga Inteligjenca e SHBA se Rusia kishte tentuar të ndërhyjë në fushatën për zgjedhjet presidenciale. Madje Biden e cilësoi Putinin ”vrasës” ndërkohë nuk kanë munguar edhe konfliktet që kur ndryshoi Presidenca amerikane.
Biden ishte në Europë në vizitën e tij të parë ndërkombëtare për disa ditë duke marrë pjesë në Samitin e G7, Samitin e NATO-s si dhe takimin e Gjenevës me Vladimir Putin.
/Priza.al/