Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të dërguarin amerikan, Gabriel Esbobar.
Me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ Meta bëri me dije se në fokus të këtij takimi kanë qenë zgjedhjet e 14 majit. Ai theksoi se me Esbobar kanë biseduar dhe për aleancën me SHBA dhe procesin e negociatave mes Kosovës e Serbisë. Partia e Lirisë, shkroi Meta, do të jetë e angazhuar për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit drejt BE.
Postimi i plotë:
Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.
Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim.
Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit.
E falenderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike.
Vlerësova se angazhimi i SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve.
Theksova se zgjedhet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japi fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transaprencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.
Nënvizova vendosmërinë e PL për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.
Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.