Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit. Firma është vënë në Tiranë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe homologu i tij Bledi Çuçi.
Sipas dy ministrave ky protokoll është një tjetër hap përpara në procesin e lehtësimit meqë krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.
“Kjo nuk do të jetë as marrëveshja e fundit por do të jetë një vazhdimësi e shumë marrëveshjeve të cilat i kemi nënshkruar dhe do të vazhdojmë t’i nënshkruajmë së bashku deri sa të vijë koha që realisht qytetari i dy vendeve të mos ta dijë se ku ndodhet apo ku punon”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi ka thënë se do të bëjnë të pamundurën që shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë të qarkullojë lirshëm në të dy anët e kufirit.
“Ju e dini qëndrimin tim që unë do të doja që të mos kishte marrëveshje fare, ose më mirë të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po u mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 kilometrave të secilit vend, të ishte për gjithë territorin qoftë të Kosovës qoftë të Shqipërisë”, ka thënë Çuçi.