Sulmi me tritol/ Salianji nga shtëpia e Ndrecës: Akt terrorist!

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka vizituar në banesën e kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Benard Ndrecës, një ditë pas atentatit me tritol ndaj automjetit të tij.

Salianji u shpreh se veprimi i kryer ndaj Ndrecës është një akt i mirëfilltë terrorist dhe bëri thirrje për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes.

Deputeti demokrat u shpreh ndër të tjera ‘se nuk mund të mbahet Shqipëria duke i vendosur tritol kundërshtarëve politikë dhe atyre mediatikë’.

“Ne jemi këtu për t’i shprehur mbështetjen kryetarit të opozitës për zonën. Ndikon në klimën e sigurisë publike në gjithë vendin. Është një akt terrorist. Ngjarja bëhet dyfish e rëndë duke marrë parasysh mosreagimin e qeverisë dhe nëse ngjarja nuk zbardhet. Çdo raport që kemi me institucionet ndërkombëtare, ne do ta kthejmë në fokus në Komisionin e Sigurisë, që akte si ky jo vetëm të mos ndodhin, por të marrin përgjigjen e merituar nga organet e drejtësisë.

Nuk mund të mbahet dot Shqipëria duke i vendosur tritol kundërshtarit politik, duke tentuar të eleminohet kundërshtari politik, duke vendosur gjoba dhe kërcënime qytetarëve. Duke tentuar të vendosen tritole kundërshtarëve mediatikë. Çdo punonjës i ndershëm i policisë, i bëj thirrje të mos përfshihet në fushatën elektorale, të mos kërcënojnë kundërshtarët politikë.

Në këto kushte dua ta mbyll jo vetëm me thirrjen për ndëshkimin e autorëve, por edhe me thirrjen për qytetarët që të ndëshkojnë këtë qeveri. Cilido që ka parë shpërthimin me eksploziv, sekondat ndanin fatalitetin nga ky shpërthim. I bëj thirrje qytetarëve që të votojnë në 14 maj për të bërë të mundur ndryshimin”, u shpreh Salianji.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *