Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të martën se Shtetet e Bashkuara do të “bëjnë të pamundurën” për të gjetur burimin e rrjedhjes së dhjetëra dokumenteve shumë të klasifikuara në internet, në komentet e tij të para publike që kur dokumentet dolën në dritë.
Zyrtari më i lartë i Pentagonit foli për herë të parë në lidhje me rrjedhjen e fundit të dokumentave të klasifikuara amerikane të martën.
“Ne e marrim këtë shumë seriozisht dhe do të vazhdojmë të hetojmë dhe kthejmë çdo gurë derisa të gjejmë burimin dhe shtrirjen e tij”, tha sekretari Austin.
Agjencia Reuters shqyrtoi më shumë se 50 nga dokumentet e klasifikuara në fjalë, të emërtuara “Sekret” dhe “Tepër Sekret”, të cilat u shfaqën për herë të parë në faqet e mediave sociale në muajin mars. Por Reuters nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve.
Dosjet zbulojnë detaje të aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së. Disa nga informacionet më të ndjeshme thuhet se lidhen me fuqitë dhe mangësitë ushtarake të Ukrainës. Një dokument përmend gjithashtu numrin e vogël të trupave të forcave speciale perëndimore në Ukrainë.
“Dokumentet për të cilat kemi dijeni janë të datës 28 shkurt dhe 1 mars. Nuk e di nëse ka dokumente të tjera që kanë qenë online më parë. Këto janë gjëra që do t’i gjejmë, ndërsa do të vazhdojmë të hetojmë. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë dhe asgjë nuk do të na ndalojë të mbajmë Amerikën të sigurt”, tha sekretari Austin.
Sekretari Austin tha se ai u njoftua fillimisht për daljen e informacionit rreth një javë më parë. Çështja tani i ka kaluar Departamentit të Drejtësisë, i cili po kryen hetime.
Dalja e informacionit, që zbulon gjithashtu përgjime që Shtetet e Bashkuara mund të kenë bërë ndaj vendeve aleate, mund të jetë incidenti më i rëndë i nxjerrjes së sekreteve të SHBA-së që nga publikimi i mijëra dokumenteve në WikiLeaks në vitin 2013.
Disa ekspertë të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë qeveritarë thonë se dyshojnë se autori i bërjes publike të sekreteve mund të jetë amerikan, duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e temave të përfshira në këto materiale.