Në veri, ende asnjë qendër votimi

 

Dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.

Deri më tani është votuar në shkolla, por këtë herë shanset për këtë janë pothuajse joekzistente sepse ato kontrollohen nga sistemi serb në veri, i cili i kundërshton zgjedhjet. Qendrat alternative si dhe stacionet policore po ashtu janë përmendur si vende të mundshme që mund të shndërrohen në qendra të votimit.

Moscaktimi i qendrave të votimit krijon dyshime se aktiviteti zgjedhor mund të zhvillohet, thonë ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, dhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), Eugen Cakolli.

Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.

Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Këto zgjedhje ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por institucionet e Kosovës u detyruan t’i anulojnë ato për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

Adnan Merovci e vlerëson të vështirë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në veri të Kosovës, nëse merret parasysh situata politike.

Gjendja politike në atë pjesë të shtetit është e brishtë dhe kjo sipas tij ka pamundësuar që institucionet përgjegjëse të përfundojnë me kohë procedurat teknike për organizimin e zgjedhjeve.

“Nëse gjendja në veri është e tillë, që ende vendvotimet nuk janë caktuar, ende aspekti teknik nuk është marrë në duart e atyre që quhen komisionerë, udhëheqës të vendvotimeve, unë jam skeptik …”, thotë ai për Rel-in.

Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, thotë se për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, KQZ-ja shumë shpejt duhet të publikojë lokacionin e qendrave të votimit, në mënyrë që të informohen votuesit se ku mund të votojnë.

Ky proces, ky sipas tij, është dashur të përfundojë 45 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

 

“Më e rëndësishmja është publikimi i qendrave të votimit. Ende nuk dihet se cilat do përdoren për qëllim të zhvillimit të procesit të votimit. Janë përmendur modalitete të shumta, si qendra alternative apo votim në stacione policore, e të tjera”, thotë ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *