Bashkimi Evropian bëri të ditur se grupi mercenar rus Wagner është futur në listën evropiane të sanksioneve për “pjesëmarrje aktive në luftën e agresionit rus kundër Ukrainës”.
Wagner, që po udhëheq betejat ruse në përpjekjet për t’i pushtuar qytetet ukrainase Bakhmut dhe Soledar, u vendos në shkurt në një listë tjetër sanksionesh të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut dhe “destabilizimin” e vendeve në Afrikë.
BE-ja shtoi se Wagner u shtua në listë edhe “për veprime që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.
Fakti që Wagner është listuar dy herë “nënvizon dimensionin ndërkombëtar dhe peshën e aktiviteteve të këtij grupi, si dhe ndikimin e tij destabilizues në vendet ku është aktiv”, thuhet në deklaratën e Këshillit Evropian.
Në listën evropiane të sanksioneve u shtua edhe RIA FAN, një media ruse që është pjesë e grupit Patriot Media Group, bordi i së cilës drejtohet nga Yevgeny Prigozhin, shefi i Wagnerit. Një OJQ ruse dhe një dezertor i Wagnerit pretendojnë se ky grup ishin përgjegjës për rastin e prerjes së kokës të një të burgosuri ukrainas, shfaqur në një video, por që shefi i Wagnerit i ka hedhur poshtë.