Dumani dhe Kraja takim në Argjentinë me prokurorët e EUROJUST dhe EUROPOL

Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe shefi i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Arben Kraja kanë marrë pjesë në një takim koordinativ në Buenos Aires, Argjentinë, të organizuar nga Rrjeti kundër Drogës i Prokurorëve të Amerikës së Jugut, EUROJUST dhe EUROPOL.

Në takim ishte prioriteti për bashkëpunim kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare me risk të lartë.

Në takimin koordinativ morën pjesë përfaqësues të prokurorive homologe nga vendet e BE, Itali, Spanje, Hollande, Belgjike, Gjermani dhe Portugali, ashtu si dhe nga agjensitë e BE-së, EUROJUST dhe EUROPOL si dhe përfaqësues nga prokuroritë homologe nga Amerika e Jugut, Argjentinë, Brazil, Ekuador, Kolumbi, Panama, Paraguaj dhe Kosta Rika.

Qëllimi i organizimit të takimit ishte forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet prokurorëve të Amerikës së Jugut dhe Europës, nëpërmjet vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta, krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore (JIT), përdorimi i metodave speciale të hetimit, me synim goditjen e organizatave dhe rrjeteve ndërkombëtare me risk të lartë të krimit të organizuar qe merren me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të SPAK në këtë takim u mundësua nga projekti “Lufta kundër krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor”-IPA 2019.

SPAK ka prioritet luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në këto kushte pjesëmarrja në këtë takim ishte e një rëndësie të veçantë dhe shumë produktive.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *