Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Neritan Cena, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK e shkarkoi nga detyra rreth 3 vite më parë për shkak të trasanksioneve financiare “shumë të diskutueshme” dhe “paaftësi profesionale”, përfshirë vendosjen e “interesit personal mbi atë të shoqërisë”, argumenton Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vendimin e arsyetuar.
Njoftimi i vendimit:
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr. 63/2020, datë 22.12.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Neritan Cena kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 304, datë 06.10.2020.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 304, datë 06.10.2020, që i përket subjektit të rivlerësimit Neritan Cena.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.04.2023.