Biznesmeni shqiptar i cili jeton në Norvegji, Bujar Zhuri, kur u fut në “Big Brother VIP”, pasi bleu skulpturën që banorët bënë brenda shtëpisë, i tha Luiz Ejllit se nëse martohet dhe e fton në dasmë, do i dhurojë një udhëtim në Polin e Veriut.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, ai shprehet se do e mbajë premtimin e tij deri në fund. Madje Zhuri ka treguar se udhëtimi me traget nëpër brigjet e Norvegjisë deri afër Polit të Veriut është spektakolare.
Por këtë udhëtim Luizi dhe Kiara do e shijojnë nëse ata martohen dhe e ftojnë në dasmë, ka ritheksuar biznesmeni.
“Unë i bëra Luizit në pyetje, a do martohesh? Nëse do martohet, ai ka një ftesë nga unë në Polin e Veriut. Nuk mund të them që është një muaj mjalti, por është një udhëtim në Polin e Veriut… Disa fansa të Luizit më kanë shkruar, vërtet e ftove Luizin apo ishte shaka? Jo i thash është e vërtetë.
Nëse ai bën dasmë dhe mua më fton në dasmë, do i bëj një dhuratë dhe është krejt normale. Dhurata është një udhëtim me traget që është shumë special, turistët janë kinezë, japonezë, amerikanë, gjermanë, është elitë faktikisht dhe udhëton nëpër brigjet e Norvegjisë, nëpër fjorde të ndryshme, deri në skajin verior të Norvegjisë, afër Polit të Veriut. Disa në Shqipëri mendojnë që atje ka vetëm pinguinë, por ka arinj të bardhë, edhe kaproj. Ai është një udhëtim shumë special dhe i veçantë dhe të bën që të shikosh një pjesë tjetër të globit dhe natyra norvegjeze është shumë e veçantë”,- u shpreh biznesmeni.