Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj, ndaj tre të pandehurve me inicialet L.D, K.H dhe O.H, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tre të pandehurit dyshohen për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, më 11 prill. Masa e paraburgimit për tre të dyshuarit, nga gjykata është caktuar me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Gjykata vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit për tre të pandehurit, sepse “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen” dhe se ekziston rreziku se të njëjtit mund të arratisen, ti shmangen ndjekjes penale.
“Të pandehurit nëse do të mbeten në liri mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar edhe në dëshmitarët si dhe mund ta përsërisin veprën penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Syla ishte sulmuar më 11 prill nga tre persona, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Një ditë pas sulmit, Syla, në një postim në llogarinë e tij në Facebook shkroi se u sulmua, siç pretendon ai, për shkak të disa postimeve kritikuese të tij për disa udhëheqës fetarë.
Në reagimin e tij, ndër tjerash, Syla tha se “fjala është e lirë” dhe se “të gjithë ata që predikojnë kundër lirive, nuk janë as për paqe e as për liri”.
Sulmi fizik ndaj gazetarit Valon Syla e ka çuar në dhjetë numrin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve që ka regjistruar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) deri më tani këtë vit./REL