Presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje agjencive federale që të rrisin masat e tyre të sigurisë pas publikimit të dokumenteve sekrete të Pentagonit. Biden përgëzoi FBI-në për arrestimin e të dyshuarit 21-vjeçar, Jack Teixeira, të cilin hetuesit e akuzojnë për postimin e dokumenteve të klasifikuara amerikane.
“Ndërsa ne jemi ende duke përcaktuar vlefshmërinë e atyre dokumenteve, unë i kam udhëzuar komunitetin tonë ushtarak dhe të inteligjencës që të ndërmarrë hapa për të siguruar dhe kufizuar më tej shpërndarjen e informacionit të ndjeshëm dhe ekipi ynë i sigurisë kombëtare po koordinon ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë”, tha Biden në një deklaratë pasditen e sotme.
Dokumentet përmbanin informacione të ndjeshme, duke përfshirë përgjimin e aleatëve dhe kundërshtarëve kryesorë dhe vlerësime të prera mbi gjendjen e luftës në Ukrainë, shkruajnë mediat e huaja.
Arrestimi i Jack Teixeira
Jack Teixeira 21-vjeç u arrestua më 13 prill nga FBI si i dyshuari kryesor për publikimin e dokumenteve konfidenciale të mbrojtjes dhe inteligjencës amerikane. Edhe pse vetëm 21 vjeç, Teixeira është anëtar i inteligjencës të Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts. Pentagoni tha në një konferencë për shtyp se hetimet zbuluan se publikimi i të dhënave ishte një akt kriminal i qëllimshëm. Rrjedhja e dosjeve të mbrojtjes dhe inteligjencës ndodhi në platformën “Discord”, duke shkaktuar panik tek zyrtarët e lartë amerikanë. Të paktën 50, por ndoshta më shumë se 100 dokumente sekrete u postuan në platformë dhe më pas u shpërndanë kudo. Dokumentet e zbuluara përfshijnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, si dhe për Kinën dhe aleatët e SHBA-së.