STUDIM: Viruset që ndihmojnë në luftimin e kancerit

Reliket e viruseve të lashta që kanë kaluar miliona vite të fshehura brenda ADN-së njerëzore ndihmojnë trupin të luftojë kancerin. Në këtë përfundim kanë arritur shkencëtarët. Studimi nga Instituti Francis Crick tregoi se mbetjet e fjetura të këtyre viruseve të vjetra zgjohen kur qelizat kancerogjene dalin jashtë kontrollit.

Kjo ndihmon pa dashje sistemin imunitar të synojë dhe sulmojë tumorin. Ekipi dëshiron të shfrytëzojë zbulimin për të krijuar vaksina që mund të nxisin trajtimin e kancerit, apo edhe ta parandalojnë atë. Studiuesit kishin vënë re një lidhje nga mbijetesa e të prekurve nga kanceri i mushkërive dhe një pjese të sistemit imunitar, të quajtur qeliza B, të grumbulluara rreth tumoreve. Qelizat B janë pjesa e trupit tonë që prodhon antitrupa dhe njihen më mirë për rolin e tyre në luftimin e infeksioneve, siç është psh. koronavirusi.

“Doli që antitrupat po njohin mbetjet e atyre që quhen retroviruse endogjene,”– tha Prof. Julian Downward, një drejtor i asociuar i kërkimit në Institutin Francis Crick.

Disa nga këto retroviruse u bënë pjesë e kodit tonë gjenetik dhjetëra miliona vjet më parë dhe ndahen me të afërmit tanë, majmunët e mëdhenj. Por retroviruse të tjerë mund të kenë hyrë në ADN-në tonë disa mijëra vjet më parë. Megjithatë, kaosi mbizotëron brenda një qelize kanceroze kur ajo po rritet në mënyrë të pakontrolluar dhe kontrolli dikur i rreptë i këtyre viruseve të lashtë humbet. Këto “udhëzime” të lashta gjenetike nuk janë më në gjendje të ringjallin viruse, por ato mund të krijojnë fragmente virusesh që janë të mjaftueshme për sistemin imunitar për të dalluar një kërcënim viral.

“Sistemi imunitar mashtrohet duke besuar se qelizat e tumorit janë të infektuara dhe përpiqen të eliminojë virusin, kështu që është një lloj sistemi alarmi,”– tha Prof. George Kassiotis, kreu i imunologjisë retrovirale në qendrën e kërkimit biomjekësor. Antitrupat thërrasin pjesë të tjera të sistemit imunitar që vrasin qelizat e “infektuara” – pra sistemi imunitar po përpiqet të ndalojë një virus, por në këtë rast po “vret” qelizat kancerogjene.

Studimi përshkruan se si kjo ndodh natyrshëm në trup, por studiuesit duan ta rrisin atë efekt duke zhvilluar vaksina për të mësuar trupin se si të gjuajë për retroviruset endogjene./BBC

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *