Rrugëtimi i gjelbër drejt 14 majit është ndalur sot në Kavajë, ku Kryeministri Edi Rama dhe drejtuesi I PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, çelën fushatën elektorale. Në fjalën e tij drejtuar banorëve të Kavajës, Veliaj tha se Partia Socialiste ka vendosur qytetarët të parët dhe këtë e ka provuar edhe në kohë të vështira kur u përball me fatkeqësi si tërmeti dhe pandemia, duke i kthyer në më shumë mundësi për të investuar dhe transformuar qytetet.
“Mbaj mend fushatën e 2019, kur shumë njerëz thoshin: ‘kjo është garë e lehtë, nuk ka kundërshtarë, do shkojë gjithçka fjollë’. Qartazi historia na punoi një rreng dhe nuk ishte e lehtë. Askush nuk e kishte menduar se do kishte një tërmet dhe një pandemi, por qartazi Edi Rama na provoi se nuk ka rëndësi si rrëzohemi dhe kush na rrëzon, sepse rëndësi ka si ngrihemi, si punojmë dhe nëse dalim më të fortë, më të bashkuar. Kavaja, Tirana, Shqipëria ka përdorur atë fatkeqësi për ta kthyer në një mundësi, atëherë kjo është medalja jonë e punës, e dashurisë dhe e bashkëpunimit me secilin”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se falë bashkëpunimit në Kavajë sot u rindërtuan 400 apartamente për familjet që humbën shtëpitë në tërmetin e 2019-ës.
“Ka shumë njerëz që thonë na jepni bashkinë që ta përdorim si instrument për të goditur qeverinë. Kurse ne themi, në Kavajë ia kemi parë hajrin bashkëpunimit me Edi Ramën dhe me qeverinë; sot kemi një ujësjellës në Kavajë; sot kemi një pedonale në Golem; sot kemi 14 shkolla të reja, të cilat nuk do të ishin bërë kurrë vetëm me buxhetin e bashkisë; sot kemi mbi 400 apartamente, që falë ndihmës së Edi Ramës dhe qeverisë arritëm të strehonim të gjithë ata që humbën shtëpitë prej tërmetit. Nëse disa duan të mbjellin sherr dhe helm, ne duam të mbjellim pemë dhe gjelbërim. Ndaj, motra dhe vëllezër, ta vazhdojmë këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm që kemi nisur me Edi Ramën, i cili e di ekzaktësisht ku janë hallet e një qyteti, ku janë hallet e një komuniteti. Ndaj, mezi pres që nga Kavaja të fillojmë një sprint për të gjitha njësitë e Tiranës dhe të dalim faqebardhë, t’i shpjegojmë secilit që vetëm duke ecur përpara mund ta bëjmë Kavajën zonjë, Tiranën zonjë dhe Shqipëria ta mbajë kokën lart për të gjithë ato punë që kemi bërë bashkë prej dashurisë, ku kemi mbjellë shpresë, bashkëpunim e ku kemi mbjellë gjelbërim” tha Veliaj.
Kryeministri Rama tha se Kavaja është transformuar tërësisht nga kryebashkiaku Redjan Krali, i cili garon në 14 Maj për një mandat të dytë. “M’u kujtua si ishte hyrja e Kavajës kur morëm detyrën e si ajo hyrje, që dukej hyrje në një vatër të dëshpërimit, harresës e rrënimit, ishte e gjithë Kavaja. I kam parasysh pamjet e Kavajës dhe e kam parasysh edhe gjithë punën, projektet, përpjekjet për të nisur ndryshimin saj të madh. Më kujtohet që kur Kavaja u kthye përsëri në duart e tyre, të vetmet probleme që patëm nuk ishin si të financojmë një projekt më shumë, një kopësht një shkollë një tjetër hapësirë të gjelbër, të krijojmë diçka të re e të kemi edhe më shumë pastërti në bregun turistik të Kavajës, por të vetmin problem që kishim ishin lejet në rërë në kundërshtim me çdo ligj e çdo sens të së bukurës e së ardhmes. Atëherë Bashkia e Kavajës u vu në dispozicion të një grupi që funksionon si një bandë grabitqarësh kudo e kurdoherë kur atyre u jepet pushtet,” kujtoi Rama.