Berisha shantazhon me “dosje” ambasadoren Kim: Ka prona në Tiranë

Lideri i opozitës, Sali Berisha sulmoi sërish dje ambasadoren amerikane Yuri Kim gjatë konferencës për shtyp. Ish-kryeministri përsëriti akuzat e tij se diplomatja amerikane është përfshirë në afera korruptive në Shqipëri, madje ka siguruar dhe prona. Kryetari “de facto” i Partisë Demokratike u ndal dhe te vizita e Zv/ndihmës-sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Shqipëri.

Sipas Berishës, diplomati i lartë amerikan e paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se rrezikon të burgoset për skandalin “McGonigal”. Gjithashtu, kreu i “Foltores” u shpreh më se i gëzuar që faktorët e brendshëm dhe të jashtëm politikë të Shqipërisë po e pranojnë se ai do të rikthehet në 2025 në pushtet. Ish-kryeministri nënvizoi se dhe Escobar e ka pranuar tashmë mundësinë që ai të rimarrë pushtetin pas 12 vitesh.

Berisha: SHBA të hetojë ‘guvernatoren’ Kim, do t’i japim prova nëse duan

Berisha përsëriti thirrjen e tij ndaj shtetit amerikan për të hetuar diplomaten amerikane Yuri Kim. Ai këmbënguli se nëse SHBA shprehet e gatshme të hapin procedim penal ndaj burokrates amerikane, Partia Demokratik e drejtuar prej tij do të paraqesë çdo lloj prove që rëndojnë ambasadoren “guvernatore”.

“E kuptoj që kjo ka qenë lënduese, nuk është antiamerikane, ata që e marrin antiamerikane, gabojnë. Kurse për sa i përket guvernatores, unë edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, FBI-së dhe Kongresit të SHBA të hetojnë aferat korruptive të ambasadores Yuri Kim, përfshi këtu edhe pronat e saj në Shqipëri. Garantoj në mënyrën më të hapur se PD është e gatshme të kontribuoj me prova dhe fakte në zbardhjen e këtyre problemeve. Kaq!”, u shpreh fillimisht Berisha.

Escobar në Shqipëri, Berisha: Kërcënoi Ramën me burg për ‘McGonigal’

Ndryshe nga qëndrimet e ashpra të kaluara ndaj diplomatit amerikan Escobar, Berisha e vlerësoi vizitën e tij në Shqipëri dhe intervistën e dhënë në “Top Channel” para dy ditësh. Sipas Berishës, Escobar i ka dhënë Ramës lajmin e keq se rrezikon të arrestohet për korruptimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI në Nju Jork, Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka hetuar lobimin rus në PD. Lideri i opozitës e arsyetoi qëndrimin e zymtë të Ramës dhe qeverisë së tij pas takimit me Escobar si pasojë e mesazhit të errët që ky i fundit u dha.

“Dje deklarova se më pëlqeu vizita, sot ju deklaroj me të njëjtin sinqeritet se më pëlqeu intervista e Escobar. Ndonëse vizita u deklarua se ishte për zgjedhjet lokale, aty nuk u tha asnjë fjalë, asnjë gjë. Vetëkuptohet pse ishte kjo vizitë, kryefjala ishte vetëm një. I pyetur për Ramën dhe McGonigal, ai tha: ‘nuk komentoj për një çështje penale të hapur’. Kjo do të thotë derë burgu e hapur. Ai nuk tha ‘nuk diskutoj për McGonigal se ka dosje’, tha nuk diskutoj për dosjen. Kjo do të thotë që ishte një derë qelie e hapur për Ramën. Kjo ishte e vërteta ndaj dhe Edi Rama nxinte bashkë me ministreshat e tij me lopatë në dorë pas takimit”, vazhdoi më tej ish-kryeministri.

Ish-kryeministri: Escobar pranoi se unë do fitoj në 2025

Berisha u shpreh i ngazëllyer nga intervista e Gabriel Escobar për “Top Channel”, i cili këmbënguli se edhe nëse Sali Berisha fiton zgjedhjet parlamentare të 2025, përsëri Uashingtoni nuk do të bashkëpunojë me të dhe Shqipërinë. Ish-kryeministri e interpretoi qëndrimin e diplomatit amerikan si shenjë dorëzimi ndaj fuqisë së tij politike në rritje.

“Konfirmoi fitoren time. Unë e thashë pa më bërë pyetjen se në kryeqytetet e botës dhe Evropës po binden për rikthimin e Berishës dhe fitoren e Partisë Demokratike. Merri pak deklaratat e një viti më parë. Ky tha ‘edhe po fitoi’, domethënë është kandidat për të fituar. A kupton? Kuptoni?”, deklaroi më tej Berisha para gazetarëve.

Zgjedhjet e 14 majit, Berisha: Rama-Brava vodhën 2 milionë euro

Në fund, kryefoltoristi nuk kurseu rivalin e tij Edi Rama dhe ish-kryetarin e PD, Lulzim Basha lidhur me ndarjen e fondeve nga KQZ për organizmin fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai i akuzoi të dy se grabitën 2 milionë euro fonde.

“Unë nuk mund të them që do të fitojmë 100%, por nuk mund të them as se cilën bashki nuk do ta fitoj. Klima është mjaft pozitive, 2 milionë euro grabiti Rama-Brava. Sot ne jemi forcë politike që bëjmë fushatë vetëm me kontributet e anëtarësisë dhe mbështetësve tanë. 61 kandidatët tanë zhvillojnë fushatën më të pastër të mundshme, njëlloj si në vitin 1992. Madje, atëherë ka rrezik na ka dhënë ndonjë gjë KQZ-ja, duhet të shoh regjistrat. Sot i marrin Rama-Brava, me ata që i mban peng me lidhjet e krimit”, tha Berisha dje në konferencën për shtyp para mediave.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *