Video/ 6 të plagosur për një palë këpucë Nike

Trazira dhe dhunë në rrugët e Parisit qendror. Këtë herë protestat kundër reformës së pensioneve nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të. Kaosi erdhi nga lançimi i një palë këpucëve: Air Max 95 “Aegan Storm”, rezultat i bashkëpunimit midis Nike dhe Corteiz, marka angleze e mbuluar me mister që tashmë është bërë lajm për metodat e saj unike të shpërndarjes.

Dy markat, disa ditë më parë, kishin njoftuar se në qendrën Place de la République do të zbulohej vendndodhja e saktë e dyqanit ku do të shiteshin 600 palë Nike Air Max 95. Dhe kështu të mërkurën më 12 prill një autobus kalonte duke mbajtur koordinatat e sakta të vendit ku do të bëhej shpërndarja. Por, për ta thënë më butë, jo gjithçka shkoi mirë.

Një turmë prej mijëra njerëzish u derdhën në rrugët e Parisit në përpjekje për të kapur këpucët në fjalë. “Kur mbërrita në punë pak para orës 14:00, pashë të rinj që vraponin drejt një autobusi. Në fillim nuk e kuptova, thashë me vete se ndoshta ishte një mobilizim spontan kundër reformës së pensioneve”, thotë Hugo, menaxher marketingu, zyrat e të cilit janë pikërisht në Place de la Republique. “Njerëzit filluan të ndiqnin autobusin me të gjitha mjetet e transportit, me biçikletë, skuter… Disa madje u ngjitën në pjesën e pasme të automjetit,” vazhdon menaxheri i ri 23-vjeçar në Le Parisien.

 

Sapo arritën para dyqanit, situata u përkeqësua më tej. Të paktën gjashtë persona u plagosën në përleshjen për të rrëmbyer palën e re të atleteve Nike. Dy të mitur janë shtruar në spital pasi janë ndjerë keq në mes të turmës dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile për të qetësuar njerëzit.

Sipas asaj që u raportua nga këshilltari David Belliard, komuna e Parisit nuk do të kishte marrë asnjë kërkesë për autorizim për ngjarjen komerciale. Nënkryetari i Bashkisë për Transportin akuzon hapur dy markat, në veçanti Nike: “Është një papërgjegjshmëri totale nga ana e kësaj shumëkombëshe si nga pikëpamja e sigurisë së të rinjve që marrin pjesë në këto evente, ashtu edhe nga pikëpamja e modelit të propozuar të shoqërisë. Rruga nuk është një qendër tregtare në ajër të hapur”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *