Pas Krrabës, Petrelës dhe Bërzhitës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u ndal edhe në Farkë dhe Baldushk, ku diskutoi me banorët rreth projekteve që përfshijnë këto zona.
Ai shtoi se prej këtyre investimeve i është rritur si asnjëherë më parë vlera pronës, nga sheshi “Skënderbej” deri në Krrabë, dhe kjo nuk është një gjë e keqe, ashtu siç sipas tij, duan ta trajtojnë disa eksponentë të opozitës.
“Është rritur vlera e apartamenteve, më thoshte një analist. Po si, – i thashë unë, – e bleve 100 dhe tani të vlen 200 dhe kjo qenka gjë e keqe?!
Po mirë, është gjë e mirë në qoftë se e ke blerë 100 dhe tani të vlen 50? Dhe ti e kupton që këta i ha ose smira për punën e tjetrit, ose xhelozia pse të tjerët po ecin përpara, o inati që nuk ta falin suksesin, por ne në Farkë dhe Baldushk nuk do rrimë mbrapa.
Ne kemi vendosur që të shkojmë përpara, që pronës t’i rritet vlera. Sot nga sheshi “Skënderbej”, në Farkë, në Baldushk deri në Krrabë po ju them, në Pëllumbas ku janë bërë ato bujtinat e reja, ku vijnë të huaj, është rritur vlera e pronës dhe kjo është gjë e mirë, nuk është gjë e keqe,” deklaroi Veliaj.
Sipas Veliajt, tregu agroushqimor i Farkës do të ulë me 70% koston për prodhimet vendore.
“Ne nuk e mendonim dot se një ditë do e kishim fuqinë për të thyer monopolin e tregut agroushqimor në Kashar, i cili është një treg privat.
Kush është këtu e di që atje, ishte tamam si ajo shprehja, ta masin kokën me spango, dhe ti paguaje për çdo arkë që futej aty, paguante edhe tregtari.
Të gjitha këto pagesa i shkonin tek çmimi i fruta-perimeve qytetarit dhe fitonte vetëm pronari privat i tregut agroushqimor.
Sot tregu agroushqimor në Farkë, që i shërben Baldushkut, Petrelës, Mulletit, Krrabës, Bërzhitës, është i Bashkisë së Tiranës.
Produktet do të shiten me 70% kosto më e ulët – fiton ai i fshatit, fiton tregtari dhe sigurisht, fiton çdo qytetar i Tiranës që, nga maji e tutje, do e shtrojë tavolinën e tij me fruta-perime bio dhe me një çmim më të ulët sesa fitimi që i shkonte privatit,” theksoi Veliaj.