Dhjetë muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, qeset plastike njëpërdorimshme vazhdojnë të qarkullojnë në tregjet e Tiranës, ndërsa ambientalistët dhe tregtarët fajësojnë mungesën e kontrolleve dhe neglizhencën e autoriteteve.
Më 1 qershor 2022 hynë në fuqi ndryshimet ligjore që ndalonin përdorimin e një kategorie qesesh plastike të pariciklueshme, por dhjetë muaj më pas, duket se gjithçka është kthyer si më parë.
Një vëzhgim i këtij reporteri në disa tregje në Tiranë gjeti se në shumicën e tyre shihen të varura qese plastike njëpërdorimshme, të cilat janë të ndaluara të qarkullojnë në treg. Po ashtu, një sondazh nga organizata “Qëndresa Qytetare” me 300 të anketuar në tetor 2022, gjeti se 70 për qind e tyre vijonin të përdornin qeset plastike, edhe pse kostoja e blerjes së tyre ishte rritur.
Ndryshimet ligjore për qeset plastike u mirëpritën nga ambientalistët, të cilët bëjnë thirrje për zbatimin e tyre.
“Neglizhenca e autoriteteve në zbatimin e ligjit ka bërë që tregtarët t’i rifusin sërish në qarkullim,” tha ambientalisti Lavdosh Ferruni për BIRN.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se ndryshimet ligjore nuk janë shoqëruar me masa konkrete dhe ndëshkimet kanë qenë minimale.
E pyetur nga BIRN për zbatimin e ndryshimeve ligjore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se po priste rezultatet e një inspektimi në terren.
“Aktualisht po vijon inspektimi nga Task-Forca në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nga institucionet e përcaktuara në Urdhër, deri më datë 1 Tetor 2023, në të cilën do të hartohet raporti mbi problematikat dhe progresin e zbatimit të legjislacionit në fuqi,” tha Ministria në një përgjigje me shkrim.