Pas arrestimit të Edison Begajt tri ditë më parë në Vlorë, kanë reaguar familjarët e tij. Sipas tyre, policia dështoi që ta mbronte, dhe arma që iu gjet në momentin e arrestimit ishte për vetëmbrojtje. Xhaxhai i Begajt tha se Begaj nuk ka bërë asnjë krim, dhe se tashmë dy fëmijët e tij të mitur janë lënë rrugëve, për shkak se prindërit u janë ndarë disa kohë më parë.
“Gjithcka ishte tendencioze. Policia nuk e mbrojti dot, u plagos me 9 plumba në sy të fëmijëve. Armë e kishte për vetëmbrojtje. Policia ka qenë tendencioze, nëndrejtori erdhi te biznesi dhe bëri me shenjë për të arrestuar Edisonin.
Edisoni nuk ka bërë krim, po mbronte jetën e tij, ndërkohë që atentatori i tij endet i lirë. Atentatori ishte veshur si Polic, u gjet veshja, u gjet, makina, u gjet arma por jo autori. Edisoni ka lënë dy fëmijët e mitur rrugëve”, shprehet xhaxhai i Begajt.
Në 29 maj, ndaj Edison Begajt iu bë atentat në hyrje të shtëpisë së tij në Kaninë, ku prezent ishin edhe dy fëmijë të mitur 6 dhe 7 vjeç. Në atentat Begaj u plagos me 9 plumba, ndërsa pas ngjarjes policia sekuestroi pamjet, u gjet makina e atentatorëve dhe veshja e atentatorit. Atentatori ishte i veshur si Polic, dhe ishte pa maskë.
Policia ende nuk e ka ndaluar dhe sipas bluve as identifikuar autorin.
Megjithatë arrestimi i Edison Begqj, me bujë në mes të shëtitores Lungomare, në ambientet e lokalit të tij, kanë sjellë reagimin e familjarëve të Begaj të cilët akuzojnë policinë se ka pas direktiva dhe tendenca për të arrestuar Begajn.