Të rinjtë shqiptarë lënë vendin për ‘shtëpitë e barit’ në Angli: Fitoj para dhe argëtohem…

Ai ishte punëtori im i lavazhit prej 5 vitesh, një djalë i ri që punonte mbi 8 orë dhe paguhej me një pagë 40 mijë lekë. Një ditë erdhi dhe më kërkoi të ndërprisja marrëdhënien e punës, sepse do të emigronte jashtë, në Angli. Më pas mësova se kishte nisur punën në shtëpi “bari”.”

Pronari i një servisi mjetesh në Durrës tregon se, jo vetëm ai por dhe të tjerë kolegë të tij janë në vështirësi të gjetjes së profesionistëve si mekanikë, punëtorë kartonxhesi apo dhe lavazhierë si rasti i punëtorit që u largua së fundmi, pasi kanë emigruar drejt Britanisë së Madhe.

“Për mua, dikur kënaqësia e jetës ishte ngrënia e një krepi. Me pagën që kisha, as e mendoja të ulesha e drekoja në një restorant. Kur mu ofrua puna në “shtëpi bari”, nuk thashë jo. Jeta ime në Shqipëri kishte marrë fund. Punoja gjithë ditën dhe paratë s’më dilnin as për të paguar qiranë,”- kështu tregon për jetën e tij, një prej punëtorëve që ka emigruar jashtë.

Në rrëfimin e tij nuk harron të tregojë se kënaqësia e tij, ushqimi, tashmë është diçka e tejkaluar. Në shtëpi ka një frigorifer të tej mbushur me ushqime, çfarë të dëshirojë e ka të siguruar. Gjatë ditës sheh televizor, filma, çdo program argëtues. Dhe më e rëndësishmja për të, jeta e shfrenuar që ‘bosat’ e tij ja ofrojnë çdo dy javë.

“Shkoj çdo dy javë në lokale dhe argëtohem me femra të bukura që nuk i kam parë as në ëndërr. Kam gjithçka kam dashur dhe kurrë në një jetë s’do e kisha realizuar. Fitoj para dhe jetoj mirë”, është rrëfimi i tij kur e pyesin pse i pëlqen jeta “në burgun” modern.

Adoleshentët e rritur në familje me të ardhura të pakta dhe punëtorë të pakualifikuar janë më së shumti ata që bien në presionin e grupeve kriminale që rekrutojnë punëtorë për shtëpitë e barit.

“Ethet” e pasurimit sa më shpejt dhe jetesa e shtrenjtë si ‘bosat’ e tyre, është ajo çka i shtyn më së shumti të rrezikojnë deri dhe jetën.

“Janë të rinj që nuk dinë as të lexojnë, kanë patur mungesa të formimit në shkollë. Janë ndjerë të bullizuar për shkak të statusit ekonomik. Por ka dhe mosha më të pjekura. Në zonën time kam rastin e një ish-mësuesi në pension të edukimit fizik që u rekrutua nga grupet kriminale për të punuar në shtëpi bari. Pas disa vitesh në Angli, është rikthyer në fshat me një makinë Audi Q8 dhe të gjithë çuditen se ku i gjeti paratë për të blerë atë makinë super të shtrenjtë”, tregon një prej bashkëfshatarëve të mësuesit të fiskulturës në një nga gjimnazet e zonës në vitet ’90.

Ai sot është 70-vjeç por 10-vjet më parë nuk i tha “jo” dëshirës për të punuar në shtëpi “bari”. Kur i pyet për arsyet e marrjes përsipër të këtij risku, të thonë se janë zhgënjyer nga puna në vite, të ardhurat e pakta dhe nuk kanë pyetur, por kanë pranuar në këmbim të pasurimit në këtë formë.

“E kanë rekrutuar lehtë pasi e gjetën në një fazë të jetës të dëshpëruar, një jetë në punë dhe nuk blinte dot as edhe një makinë, jo më të investonte për edukimin e vajzave. Dhe tani, ka krijuar të ardhura për pleqërinë e vet, bleu një makinë të shtrenjtë, por humbi familjen. Askush nuk ia pranoi këtë mënyrë jetese”, vijon tregimin i afërmi i mësuesit të fiskulturës në një nga fshatrat e Durrësit.

Në kohët që po jetojmë, presioni i shoqërisë po bëhet edhe më i madh dhe statusi ekonomik sot përcakton prezencën tënde dhe pranimin në shoqëri.

“Djali im sot është 15-vjeç. Ai vazhdon studimet në një kolegj privat dhe e ndjej çdo ditë presionin që ka në shkollë. Që nga mënyra e veshjes, markave, statusit në familje. Ndjehet në presion megjithëse unë punoj, kam një biznes privat e sërish ka në klasë fëmijë të drejtuesve në politikë, në kompani, që dukshëm reflektojnë arrogancën apo agresivitetin që u përcjell familja, prindërit dhe gjithçka kanë dëgjuar në bisedat që zhvillohen në sy të fëmijës”, thotë Mirjeta e cila jeton në Tiranë.

Ndërsa psikologët fajësojnë të rriturit, modelet që përcjell politika dhe median për të rinjtë e sotëm.

“Të rinjtë sot të përgjigjen qartë në raport me paranë dhe famën, e para plotëson nevojat bazike (por jo ato të para viteve ‘90 që ishin tepër bazike) dhe e dyta plotëson nevojën për vëmendje dhe dashuri. Gjithashtu ata thonë se janë shtuar nevojat për të fituar, mësuar edhe disa koncepte shumë të rëndësishme si durimi, besimi dhe shpresa”, thotë psikologe Eksena Qirici e cila shton se të rinjtë sot theksojnë se në kohët që jemi gjithçka po bëhet për të patur sa më shumë lekë e pasuri, pak rëndësi ka mënyra si formohet ajo.

“Gjithë mendja e njeriut është tek pasuria sepse vetëm ashtu do të vlerësohesh nga shoqëria”.

Qiriçi thotë se sot, në kushte jo pozitive, na diktohet se “shpejtësia” që po kërkojmë ti japim vlerave njerëzore, nuk është modeli më i mirë i të rinjve të sotëm, “të cilët nesër do të bëhen të rriturit e kohës së vjetër dhe modeli i kohës së re”.

E teksa në Shqipëri po aplikohet një tjetër piramidë e rritjes së pagave, pakkush mendon se emigrimi drejt Britanisë së Madhe apo Gjermanisë do të frenohet.

“Nuk mendoj se dikush do të dëshirojë të qëndrojë këtu në një shtëpi me qira, të rrisë fëmijët me 40 mijë lekë, nëse i ofrohet një punë në ‘shtëpitë e barit” me një pagë dhjetrafish të garantuar, standard jete të mirë dhe gjithçka ka ëndërruar, gjë që në Shqipëri gjatë gjithë jetës s’do ta siguronte”, thotë pronari i një subjekti privat që ndjehet çdo ditë në stresin e mungesës së punëtorëve sepse ai nuk mund ti ofrojë dikujt jetën e ëndërruar, modelin e të cilit e sheh në tik-tok apo Instagram./GazetaSi

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *