Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, është shprehur se administrata shtetërore po përdoret në fushatën elektorale të PS-së. Komentet Korreshi i bëri gjatë një interviste në News24, ku foli për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai tregoi disa nga problematikat që përballet qarku i Lushnjës të cilin ai përfaqëson në Kuvend, ku tha se ka emigrim masiv dhe qytetarët vuajnë për bukë.
Sipas tij, PD do të fitojë rreth 55 bashki në zgjedhjet lokale të 14 majit.
“Nuk kanë kurajë që të takohen me njerëzit. Vetëm në dy muajt e fundit, bëhet nami, sikur xhindit i është fërkuar llamba dhe ndërtohet pa fund. Ndërsa pas datës 14 do të harrohet çdo gjë. Është katastrofike ajo që bën administrate qendrore dhe lokale. Emërimet e reja në punë, dhe pas tre muajsh i nxjerrin në rrugë. Gjithmonë vendet e punës dalin përpara zgjedhjeve. Lushnja nuk vuan vetëm për të ngrenë, por para nuk ka. Banorët janë larguar jashtë vendin, drejt Gjermanisë dhe Anglisë. Është e frikshme, ka largime pa fund. Janë të shpërndarë edhe drejt Francës. Ikin edhe drejt vendeve ku kanë mundësi të pasurohen më shpejt, apo edhe “shtëpi bari” për të punuar. Ka “rilindur tregu i rrobave të përdorura”, nuk kanë mundësi ekonomike”, ka thënë ai.
Më tej shtoi se në këtë fushatë janë të angazhuar edhe për Lushnjen, por gjithashtu edhe për Divjakën, por theksoi se nuk ka munguar mbështetja edhe për Belind Këlliçin në Tiranë.
“Sali Berisha nuk ka një entitet juridik për t’u përfshirë pavarësisht përfaqësimit nga elektorati. Meta ndoshta ka preferuar të mos jetë ai i parë, besoj unë. Për mua Partia e Lirisë ka përfituar jashtëzakonisht shumë. Gjykoj dhe mendoj se nuk i meritojnë aq kandidatë sa ka kërkuar Partia e Lirisë. Unë kam thënë diku, që PD do të fitojë 55 Bashki, pra kandidatët e djathtë, këtu flas si politikan dhe jo si Saimiri”, tha Korreshi.