Në Shqipëri, drejtuesja e misionit të Vëzhguesve ndërkombëtar të ODIHR-it, Audry Glover, zhvilloi sot takime me përfaqësues të opozitës. Ajo bisedoi me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta si dhe me ish kryeministrin Sali Berisha, grupimi i të cilit ka paraqitur kandidatë si pjesë koalicionit të udhëhequr nga partia e zotit Meta, duke qenë se sigla e Partisë Demokratike i është njohur asaj pjese të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Ish presidenti Meta bëri të ditur se gjatë bisedës me zonjën Glover kishte ngritur shqetësimin mbi listat e zgjedhësve, shpërdorimin sipas tij të fondeve publike dhe përdorimin e administratës për fushatën e partisë në pushtet, apo mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë. Ai ka akuzuar po ashtu dhe Komisionin qëndror të zgjedhjeve për qëndrime të njëanshme.
Nga ana e tij zoti Berisha tha se e kishte informuar zonjën Glover mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet që kanë karakterizuar procesin. Ai deklaroi gjithashtu se i kishte bërë të ditur asaj dhe përpjekjet e dështuara siç u shpreh, për të lënë vendin pa opozitë.
Që prej javës së shkuar Misioni i ODIHR-it ka shpërndarë në të gjithë vendin 24 vëzhguesë afatgjatë, ndërsa 300 të tjerë janë kërkuar për të ndjekur ditën e votimit dhe procesin e numërimit./VOA