Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti ditën e sotme delegacionin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, të kryesuar nga Kryetarja, Stefania Gabriella Anastasia Craxi.
Pjesë e delegacionit ishin edhe senatori Luigi Spagnolli, Ambasadori Fabrizio Bucci dhe parlamentarë e diplomatë italianë.
“Shqipëria dhe Italia, Kuvendi dhe Senati, jemi të angazhuar për të kontribuar në Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh. Ne i jemi mirënjohjes Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të vendit tonë si edhe për kontributin si avokatja më e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria dhe Italia janë partnerë në NATO, në mbështetjen e Ukrainës dhe në kontributet për mbrojtjen e sigurisë e të paqes në rajon, kontinent dhe në botë.
Dëshirojmë e shpresojmë që Italia të mbështesë fort anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë nuk prevalojnë interesat, por miqësia, e cila i ka rrënjët në lidhjet e fuqishme historike e shpirtërore mes popujve tanë.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Kryetarja e Komisionit, Stefania Gabriella Anastasia Craxi, vuri në dukje se Shqipëria dhe Italia, përveçe dy vende tradicionalisht e historikisht mike të ngushta, janë partnerë në përballimin dhe zgjidhjen e konflikteve të vështira gjeopolitike, mes vendeve demokratike e paqësore dhe regjimeve luftënxitëse e autokrate. Italia mbështet nismën e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi dhe nxit vendet e tjera t’i bashkohen kësaj nisme.