Bashkimi Evropian e konfirmoi të martën formimin e Komitetit të përbashkët që do ta bëjë mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmoi se në përbërje të këtij Komiteti do të jetë emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ndërkaq Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami e Serbia, nga negociatori, Petar Petkoviq
Bashkimi Evropian ka konfirmuar sot se është themeluar Komiteti i përbashkët për mbikëqyrjen e implementimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e ka konfirmuar Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian për Çështje të Politikës së jashtme dhe Sigurisë.
Sipas Stanos, në përbërje të Komisionit do të jetë përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviq.
Detyrë e këtij komisioni do të jetë vëzhgimi i implementimit të marrëveshjes së arritur në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit për të cilin palët ishin pajtuar në takimin e Ohrit.
Ky komision do të takohet rregullisht, ndërsa hollësitë do të saktësohen në takimin e parë.
Takimi i parë do të mbahet menjëherë pas takimit të radhës në nivel të lartë, e ky takim, sipas zëdhënësit të BE-së, do të jetë më 2 maj, kur në Bruksel do të takohen presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Bashkimi Evropian thotë se me këtë akt sot është bërë hapi i parë në implementimin e asaj me të cilën palët kishin rënë dakord më herët në Ohër.