Mbrojtja e Thaçit fillon intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë

 

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka filluar intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë por seanca po zhvillohet private.

Dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey.

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar deri në 12 orë për intervistimin e tij.

Kjo është dita e tretë që dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) paraqitet para trupit gjykues.

Të hënën dhe të martën ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë dhe pastaj të mbrojtjes së viktimave.

Gjatë ditës së djeshme, dëshmia është dëgjuar tërësisht e mbyllur për publikun, ndërsa të hënën një pjesë e intervistimit është bërë në seancë publike.

Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) dhe sipas tij, në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK.

Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.

Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.

Megjithatë,dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.

Para këtij dëshmitari, ditë më parë në gjykatore ka dëshmuar dëshmitarja e parë e ZPS-së por seancat janë mbajtur private.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *