Tre shtetas me banim në Kosovë janë vënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi akuzohen për transport të emigrantëve të paligjshëm. Ata koordinuan 3 automjete, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të 26 emigrantëve.
Të ndaluar janë shtetasit me iniciale Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç të cilët u kapën në flagrancë.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të transportimit të emigrantëve, kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.
Bashkëpunuan për të transportuar me 3 automjete, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kapen në flagrancë dhe arrestohen 3 shtetas.
Të arrestuarve iu sekuestrohen automjetet me të cilat kryenin transportimin, dhe celularët.
Ky operacion, i dyti brenda pak ditëve, i finalizuar nga Policia Kufitare e Sarandës për goditjen e ndihmës së kundërligjshme, për emigrantët.
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të mbështetura nga inteligjenca informative, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin, drejt vendeve të BE-së, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Border”, si rezultat i të cilit nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, u arrestuan shtetasit:
-Sh. Sh., 25 vjeç, H. H., 22 vjeç dhe Sh. I., 47 vjeç, të tre banues në Kosovë.
Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, teksa transportonin kundrejt fitimit, me 3 automjete të ndryshme, 26 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Automjetet e përdorura nga këta shtetas për këtë veprimtari kriminale, si dhe celularët e tyre, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë.