Deputetja e PD, Albana Vokshi në një komunikim për mediat prezantoi platformën e Partisë, “transparenca.com”.
Vokshi tha se PD e ka krijuar këtë platformë për të sensibilizuar qytetarët dhe për të trajtuar çdo shqetësim të tyre në lidhje me aktivitetet që kryhen fushatë, si dhe për të denoncuar çdo shkelje apo abuzim zgjedhor.
Sakaq shtoi se shqetësimet e qytetarëve do të trajtohen nga një task forcë e posaçme dhe do të shihet nëse ato duhet të denoncohen në KQZ apo SPAK.
“PD po bën për të sensibilizuar dhe trajtuar çdo shqetësim që kanë qytetarët në lidhje me aktivitetet e paligjshme qe po kryhen në fushatë nga ana e përfaqësuesve të PS. Kemi krijuar një tast forcë që do monitorojë abuzimet zgjedhore, ka koordinatorët e saj në çdo bashki, degë të PD të cilët raportojnë çdo ditë pranë saj për çdo shkelje apo abuzim zgjedhor.
Deri më sot kanë mbërritur me qindra abuzime, të cilat do trajtohen në vijim. Ne i diskutojmë me task forcë dhe vendosim nëse abuzimi duhet të shkojë në një formë kallëzimi në KQZ, apo SPAK. Jemi përqendruar në raportin final të misionit ODIHR dhe atyre të zgjedhjeve të 2017-2019, për të sensibilizuar qytetarët që të denoncojmë çdo shit-blerje të votës, abuzimeve me postin e buxhetin”, tha ajo.