GJAKMARRJA/ Ja si jetojnë të gjallët e “vdekur” (Rasti i Ardjan Balit 17 vite pa shkelur në Shqipëri)

Fenomeni i gjakmarrjes vijon të jetë i ‘prekshëm’ edhe në ditët e sotme. Fillimisht ky term u bë i njohur në përmasa gjigande përmes Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku për arsye të gjakmarrjes justifikohen dhjetëra vrasje të paramenduara. Gjakmarrja konsiderohet si dënim kapital, është marrja e jetës së atij individi apo të pjesëtareve të familjes së atij individi që ka kryer një vepër të rëndë ndaj jetës, familjes, pronës, nderit dhe dinjitetit të dikujt tjetër. Në Kanun janë 150 norma në lidhje me “gjakun” dhe “gjakmarrjen”.

Megjithëse kanë kaluar shumë kohë, sot në 2023 shumë familje janë të ngujuara për shkak frikës nga gjakmarrje, ku armiku u studion çdo lëvizje, aq sa edhe dalja në oborrin e shtëpisë për rreze dielli mund të jetë fatale për ta. Raste më të shumta të gjakmarrjes numërohen kryesisht në veri, në zonën e Malsisë së Madhe, në Shkodër, Tropojë dhe në Lezhë. Nuk janë të pakta rastet ku anëtarë të familjes jetojnë në kushte të izolimit nga bota jashtë. Më të prekurit nga ky fenomen janë edhe fëmijët, të cilët shumica prej tyre nuk kanë si të arsimohen, pasi rreziku i pret ngado. Vlen të theksojmë se ka familje shqiptare, të cilat kanë zgjedhur të emigrojnë në vendet e BE, por jo vetëm, që t’i shpëtojnë plumbit ‘qorr’ të armikut.

Sipas një studimi të kryer nga “Gjenerata e Re” me ndihmën e autoriteteve policore rezulton se Shqipëria ka aktualisht 704 familje të prekura nga gjakmarrja, prej të cilave 591 jetojnë në Shqipëri, ndërsa 113 prej tyre janë larguar jashtë vendit.

Shkodra është e prekur më rëndë dukuria tragjike me 156 familje në gjakmarrje, nga të cilat 17 janë të ngujuara, 47 familje u larguan jashtë vendit, ndërsa disa dhjetëra fëmijë braktisin shkollën dhe kanë nevojë për mbështetje psikosociale. Qarku i dytë më i prekur është Lezha me 102 familje në gjakmarrje, 6 nga të cilat janë ngujuar, 33 kanë lënë Shqipërinë. Kryeqyteti dhe Durrësi janë kthyer në vendstrehime për familje nga qarqet e tjera. Në Tiranë njësitë me më shumë raste janë Paskuqani, Bathorja, njësia 9 dhe 11. Në Durrës më shumë ka Fushë Kruja-22, Thumana 15 familje në gjakmarrje.

Rasti i Arjan Balit 17 vite pa shkelur në Shqipëri

ARDJAN BALI DHE FAMILJA E TIJ

Një nga këto raste është edhe atij i Ardjan Balit, nga Tirana. Vite më parë i ati vret dikë dhe vuan dënimin sipas ligjit. Shumë vite më vonë Ardjani, 24 vjeç, i vjen lajmi se është në gjak. Djali i Zefit ishte rritur tashmë dhe kërkonte hak. Sipas Kanunit lajmi i vjen nga përfaqësuesi i familjes Lleshi. Megjithëse i ati sipas ligjit e ka kryer dënimin, pasi atë e ka dënuar shteti, por ai përsëri duhet të dënohet nëpërmjet të birit. Fillimisht Ardjani, u paraqit në zyrat e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe shuarjeve të Konfliktit, pasi kishte një muaj në jetë të pasigurtë. Megjithëse takimet që u bënë me familjen tjetër nga përfaqësues të Komitetit, ata nuk kanë pranuar pajtim dhe falje të gjakut. Nga kjo kohë Ardjani është zhvendosur nga Tirana për të banuar në rrethe dhe fshatra të ndryshme, por gjakësit në çdo kohë e kanë gjetur vendodhjen e tij. Ai ka banuar në fshatrat e Elbasanit, Tepelenës, Korçës, Himarës, të Sarandës, ku dhe ka njohur bashkëshorten e tij. Më vonë ai është goditur befasisht nga familja kundërshtare, të cilët kërkonin të dinin nëse ka shkuar në polici dhe është kërcënuar që të mos tregonte në organet e rendit dhe të mos shkonte më në zyrat e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, pasi gjaku nuk falet. “Nëna më lutet: Ik, mua s’kanë çfarë të më bëjnë, le të më vrasin”, tregon Ardjani. I detyruar të studioj dhe kanunin, i riu vazhdon të theksojë se po të zbatoheshin vërtet rregullat e “Lek Dukagjinit”, ai nuk ka përse të vritet, por fati është kokëfortë. Pasi tregon historinë ai largohet nga lokali dhe hyn mes pallateve. Diku e priste shoku i vet me makinë, pasi ai nuk mund të ecë i lirë si gjithë qytetarët e tjerë të vendit. I gjendur i pa shpresë për  frikën për jetën e tij dhe të familjes Ardjani u zhvendos dhe jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë. Ndonëse mund të jetë ‘djegur’ nga malli për vendlindjen, Ardjani e ka të pamundur kthimin në shtëpi.

Po tani çfarë do ndodh me fatin e familjes Bali?

Nuk është vetëm familja Bali. Ka dhe shumë shqiptarë që kanë marrë rrugët e kurbetit, vetëm e vetëm për një jetë më të sigurt, po jo gjithmonë kanë qenë të hapura “dyert” për shqiptarët e përndjekur gjakmarrësit.

Një tjetër rast është dhe ai Marjo Majollarit, i cili pas disa vitesh arrati, u rikthye në atdhe, por kjo i kushtoi jetën.

MARIO MAJOLLARI

Mario Majollari ekzekutohet për gjakmarrje pranë banesës në Tiranë. I ati i Marios ka vrarë vëllain e autorit të dyshuar të vrasjes së të riut.

Fqinjët e Marios në atë kohë deklaruan se 28-vjeçari ishte aq djalë i mirë sa “fëmijët e donin shumë”. Madje fqinjët derdhën lot për të…nuk e besonin, sepse sipas tyre Mario nuk i kishte bërë keq askujt. Mario kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, pasi atje i ishte refuzuar azili me pretendimin se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta. I riu thuhet se dilte lirisht me shpresën që krimi, për të cilin i ati po vuan dënimin (Mario asokohe kishte qenë vetëm 10 vjeç) s’do shkarkohej mbi të. Mario vritet për gjak. Jeta e tij u ndërpre, për krimet e tjetërkujt!. Ndoshta jeta e tij do të kishte marr një tjetër rrjedh nëse do t’i ishte pranuar azili në Suedi.

Krimet e gjakmarrjes vijojnë të shfaqen në tipin e hakmarrjes, vritet kushdo e kurdo.

Por, a është e vërtetë se gjakmarrja nuk është vetëm një formë tradicionale, ajo është ‘modernizuar’ më hakmarrje, duke i’u përshtatur kohës që jetojnë qytetarët? Disa studiues janë të mendimit se është një ngatërresë që e bëjnë shumë vetë në Shqipëri. ‘Hakmarrja nuk është një ‘tabiat’ shqiptarësh’, shpreh ata. Vrasje për hakmarrje bëhen kudo. Janë të panumërta filmat e Hollyëood-it, që kanë për fabul hakmarrjen. Prandaj, fraza se “vrasja për hakmarrje do marrë ndëshkimin maksimal” është pa kuptim. Së pari, ngaqë vrasjet për hakmarrje nuk janë një problem në Shqipëri; ose le të themi që janë problem po aq sa janë edhe në një numër vendesh të tjera. Së dyti, ngaqë bëhet ngatërresa, ku jo çdo hakmarrje është gjakmarrje. Studiuesit theksojnë se një vrasje për gjakmarrje ndryshon cilësisht nga një vrasje për hakmarrje për të paktën dy arsye. Së pari, një vrasje për hakmarrje bëhet, dhe historia mbyllet aty. Së dyti, vrasja për hakmarrje është pasojë e një vendimi apo vullneti individual. Ajo çfarë mund të themi me siguri është se as gjakmarrja, as hakmarrja nuk janë fenomene të bukura me të cilët duhet të përballet një shoqëri.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *